Lukashenko thotë se Bjellorusia po përgatit një “marrëveshje të madhe” me ShBA-në
Bjellorusia po i afrohet një marrëveshjeje të madhe për rivendosjen e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara, por nuk do të heqë dorë nga lidhjet e saj të ngushta me Rusiën, tha të enjten presidenti bjellorus, Aleksander Lukashenko. Duke folur pesë ditë pas lirimit të një grupi të madh të të burgosurve politikë në këmbim të…
Bota
Bjellorusia po i afrohet një marrëveshjeje të madhe për rivendosjen e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara, por nuk do të heqë dorë nga lidhjet e saj të ngushta me Rusiën, tha të enjten presidenti bjellorus, Aleksander Lukashenko.
Duke folur pesë ditë pas lirimit të një grupi të madh të të burgosurve politikë në këmbim të lehtësimit të sanksioneve amerikane, politikani veteran autoritar tha se pret që përmirësimi i marrëdhënieve me Uashingtonin të çojë në një samit me homologun amerikan, Donald Trump, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Gjithçka është duke lëvizur, siç thonë, drejt një marrëveshjeje të madhe… Gjithçka është duke lëvizur drejt asaj që unë dhe Trumpi të detyrohemi të takohemi dhe të arrijmë një marrëveshje” – tha presidenti bjellorus, i cili deri para kthimit të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë ishte izoluar nga Perëndimi për shkak të gjendjes së të drejtave të njeriut nën udhëheqjen e tij si dhe për shkak të mbështetjes që ia ka ofruar luftës së Rusisë në Ukrainë.
Pala amerikane thotë se Lukashenkoja ka ofruar këshilla të mira në kohën kur Uashingtoni po synon që t’i japë fund luftës në Ukrainë. Zyrtarët amerikanë i kanë thënë agjencisë “Reuters” se ShBA-ja shpreson gjithashtu se, duke u angazhuar me Lukashenkon, ta distancojë atë deri në një masë nga homologu rus, Vladimir Putin, të cilin e ka aleat të ngushtë.
Sidoqoftë, opozita bjelloruse në ekzil thotë se çfarëdo përpjekje e tillë është e pakuptimtë, sepse Lukashenkoja është shumë i varur nga mbështetja politike dhe ekonomike e Putinit.
Presidenti bjellorus tha se dy palët janë duke e diskutuar rihapjen e Ambasadës së ShBA-së në Minsk, e cila ishte mbyllur menjëherë pas fillimit të pushtimit të plotë rus të Ukrainës më 2022, si dhe hollësitë e nevojshme të sigurisë, transmeton nacionale.
Ai tha se riafrimi me Shtetet e Bashkuara nuk do të vijë në kurriz të asnjë vendi tjetër dhe se ai e Putini kanë “mirëkuptim të plotë” për atë që është duke ndodhur.
Bjellorusia ka kultivuar lidhje të ngushta me Rusinë që nga koha kur Lukashenkoja kishte ardhur në pushtet më 1994 dhe ai tha se “për aq gjatë sa unë të jem president, ne nuk do të devijojmë nga kjo politikë”.
Lukashenkoja tha se Bjellorusia këtë javë pranoi raketa të reja hipersonike “Oreshnik”, të cilat Rusia i hodhi drejt Ukrainës për herë të parë vitin e kaluar.