Luis Enrique bën thirrje për kujdes maksimal ndaj Liverpoolit

Trajneri i Paris Saint-Germain, Luis Enrique, ka bërë thirrje për kujdes maksimal ndaj Liverpool në ndeshjen e kthimit të çerekfinales së Champions League. PSG udhëton drejt “Anfield” me epërsi 2-0 nga ndeshja e parë në Paris, ku e ka dominuar plotësisht dhe nuk ka lejuar asnjë goditje në portë nga kundërshtari. Megjithatë, Enrique ka insistuar se ky rezultat…

Sport

13/04/2026 23:40

Trajneri i Paris Saint-Germain, Luis Enrique, ka bërë thirrje për kujdes maksimal ndaj Liverpool në ndeshjen e kthimit të çerekfinales së Champions League.

PSG udhëton drejt “Anfield” me epërsi 2-0 nga ndeshja e parë në Paris, ku e ka dominuar plotësisht dhe nuk ka lejuar asnjë goditje në portë nga kundërshtari. Megjithatë, Enrique ka insistuar se ky rezultat nuk garanton asgjë.

“Duhet të jemi shumë të kujdesshëm, sepse mund të ketë kurthe në një ndeshje të tillë. Të gjithë thonë se fituam lehtë, por gjërat mund të ndryshojnë shumë shpejt në futboll”, ka deklaruar ai.

Sipas trajnerit spanjoll, një gol i hershëm nga Liverpool mund ta ndryshojë krejtësisht rrjedhën e sfidës.

“Duhet të jemi të përgatitur për çdo situatë. Nëse pësojmë një gol në pjesën e parë, ndeshja mbetet e hapur dhe presioni rritet menjëherë”, ka theksuar Enrique.

Pavarësisht avantazhit, PSG nuk do të ndryshojë stilin e lojës.

“Ne do të dalim në fushë për të fituar, si gjithmonë. Nuk është në filozofinë tonë të mbrohemi dhe të presim. Duam të kontrollojmë lojën dhe të krijojmë raste”, është shprehur ai.

Ai ka paralajmëruar se skuadra e tij do të përballet me vështirësi serioze në Angli.

“Do të hasim probleme, kjo është e sigurt. Nuk do të jetë aspak e lehtë, edhe pse kemi avantazh. Mendoj se do të jetë një ndeshje shumë e fortë deri në fund”, ka shtuar tekniku spanjoll.

Enrique ka folur edhe për atmosferën në “Anfield”, duke e cilësuar si sfidë të madhe, por edhe motivim shtesë.

“E dimë sa e vështirë është të luash në Anfield, por kjo na motivon. Ne duam të tregojmë lojën tonë dhe të fitojmë edhe atje”, ka thënë trajneri i PSG-së.