Luani që mbahej si kafshë shtëpiake në Shqipëri strehohet në Gjermani
Një luan dhe një ari, të shpëtuar nga robëria në veri të Shqipërisë, mbërritën në fillim të dhjetorit nëpër strehimore për kafshë në Gjermani, pasi autoritetet në Tiranë zbuluan se ata po mbaheshin në mënyrë të paligjshme si kafshë shtëpiake në një pronë private. Erioni, një luan trevjeçar, dhe Flora, një ari dyvjeçar, tashmë po…
Lajme
Një luan dhe një ari, të shpëtuar nga robëria në veri të Shqipërisë, mbërritën në fillim të dhjetorit nëpër strehimore për kafshë në Gjermani, pasi autoritetet në Tiranë zbuluan se ata po mbaheshin në mënyrë të paligjshme si kafshë shtëpiake në një pronë private.
Erioni, një luan trevjeçar, dhe Flora, një ari dyvjeçar, tashmë po nisin të dy një jetë të re.
“Jemi shumë të lumtur që autoritetet i konfiskuan kafshët dhe që tani kemi mundësinë t’i dërgojmë në Gjermani, ku mund të fillojnë nga e para dhe të jetojnë në kushte të përshtatshme për speciet e tyre”, tha Magdalena Scherk-Trettin, menaxhere e lartë projektesh përgjegjëse për shpëtimet në organizatën ndërkombëtare për mbrojtjen e kafshëve “FOUR PAWS”, raporton AP.
Një ekip i “FOUR PAWS” realizoi operacionin e shpëtimit pasi Agjencia Kombëtare e Pyjeve e Shqipërisë lokalizoi luanin, bazuar në video të publikuara në TikTok nga pronari i tij.
As autoritetet dhe as organizata nuk kanë bërë publik emrin e personit që i mbante kafshët si kafshë shtëpiake.
Veterinerët i vunë kafshët në anestezi përpara se të ngarkoheshin në kafaze për udhëtimin e gjatë drejt strehëve të reja. Më 13 dhjetor, ata përfunduan një udhëtim prej 70 orësh nëpër disa vende evropiane: Erioni u vendos në një rezervat për kafshë të egra në juglindje të Gjermanisë, ndërsa Flora në një strehë për arinj në veri të vendit, bëri të ditur “FOUR PAWS”.
Organizata tha se të dyja kafshët ishin në gjendje të dobët shëndetësore.
“Një kontroll fillestar vizual tregoi se Flora është e kequshqyer dhe ka probleme dentare, ndaj plani i saj i rikuperimit tashmë ka nisur”, thuhet në deklaratën e organizatës.
Ndërsa kur Erioni u shpëtua, atij i kishin rënë qimet e krifës, për arsye që veterinerët ende nuk kanë mundur t’i përcaktojnë.
Pavarësisht udhëtimit të vështirë, shpëtimi ia vlejti, tha Scherk-Trettin. “Jemi të gëzuar që i shohim këto kafshë duke nisur jetën e tyre të re”.
Tregtia e paligjshme e kafshëve të egra mbetet një problem sistemik në Shqipëri dhe në mbarë rajonin, ku sidomos arinjtë, por edhe kafshë ekzotike, mbahen në kafaze në restorante ose në prona private, shpesh pa kujdes profesional.
Origjina e Erionit dhe Florës mbetet e paqartë. “FOUR PAWS” beson se luani është viktimë e tregtisë së paligjshme të kafshëve të egra, ndërsa ariu ka shumë gjasa të jetë gjuajtur ilegalisht në natyrë.
“Ky shpëtim nxjerr në pah nevojën urgjente që Shqipëria të luftojë tregtinë e paligjshme të kafshëve të egra dhe mbajtjen e tyre në pronësi private”, thuhet në një deklaratë të organizatës.
Sipas “FOUR PAWS”, legjislacioni i dobët, boshllëqet ligjore dhe zbatimi i mangët i ligjit kanë kontribuar në përhapjen e mbajtjes private dhe tregtisë së kafshëve të egra në Shqipëri. Organizata vlerëson se më shumë se 60 mace të mëdha ende mbahen në kushte të këqija në vend.
Ligji shqiptar lejon individët ose organizatat të mbajnë ekzemplarë të kafshëve të egra nëse ato kanë lindur në robëri – për shembull në kopshte zoologjike ose në qendra të specializuara. Speciet joautoktone të lindura jashtë Shqipërisë mund të mbahen gjithashtu, nëse paraqiten dokumente që dëshmojnë se janë siguruar nga qendra të specializuara të mbarështimit dhe tregtisë.
Sajmir Shehu, menaxher projekti në “FOUR PAWS”, tha se ligjit i mungon një kornizë e rreptë, mbi bazën e së cilës organizata si e tija do të mund të parandalonin mbajtjen e kafshëve të egra në robëri.
Ligji po ashtu lejon konfiskimin e kafshëve në rast se nuk përmbushen standardet.