Loja e ministrit me tenderin 110 milionësh

Ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, të premten e javës së kaluar, ka kërkuar nga të gjitha departamentet përgjegjëse të ministrisë, anulimin e tenderit prej 110 milionë euro, për 24 kilometrat Banullë - Dheu i Bardhë. Por, kjo procedurë tenderuese akoma është në fuqi.

Lajme

12/02/2020 12:05

Në konferencë për medie, ministri ka thënë se pa alokim paraprak të parave, nuk mund të shpallen thirrje që krijojnë obligime financiare për Republikën e Kosovës. Në këtë kontekst ka thënë se ka kërkuar anulimin e procedurës tenderuese.

Por, në të njëjtën ditë që ministri ka dal në konferencë, zyra e prokurimit të ministrisë ka bërë njoftim për korrigjim të kësaj procedure të prokurimit, dhe jo njoftim për anulimin e procedurës së prokurimit, shkruan lajmi.net.

Në ueb-faqen e KRPP-së, është publikuar njoftimi i ministrisë me titull “Njoftim për informata shtesë ose përmirësim i gabimit”.

Njoftimi në KRPP, ishte dërguar një ditë para se ministri të dalë në konferencë për media. Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme, prokurimi i ministrisë përsëri ka bërë njoftim të ri për korrigjimin e procedurës tenderuese.

Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik –KRPP, në ueb faqen e të cilit publikohen njoftimet e autoriteteve kontraktuese e ka sqaruar se si qëndron situata aktuale me këtë tender. Departamenti për monitorim i këtij institucioni ka thënë se tenderi është aktivë dhe nuk ka njoftim për anulimin e aktivitetit të kësaj procedure tenderuese.

“Lidhur me pyetjen tuaj për aktivitetin e prokurimit të iniciuar nga autoriteti kontraktues, Ministria e Infrastrukturës me titull:”  Ndërtimi i autoudhës a7.1 kryqëzimi në disnivel a6/a7.1(Banullë)  –  Dheu i Bardhë  Pjesa: udhëkryqi Bresalc – Dheu i Bardhë nga stac. 26+875.00 – STAC. 51+752.00”me  nr. të prokurimit: 205-19-9693-5-1-1,  ju informojmë se deri më sot me datë 11.02.2020 në platformën elektronike të KRPP -së nuk kemi pranuar njoftim për anulimin e aktivitetit të prokurimit në fjalë. Përderisa KRPP nuk ka ndonjë njoftim për anulimin e aktivitetit të prokurimit, atëherë nënkupton se aktiviteti i prokurimit është në proces, mirëpo për informata më të detajuara ju sugjerojmë t’i drejtoheni Autoritetit Kontraktues”, thuhet në një përgjigje me shkrim të KRPP-së për lajmi.net.

Lajmi.net ka kërkuar sqarime nga Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit lidhur më atë se, pse nuk është anuluar tenderi kundruall deklaratave të ministrit, por ky institucion ka refuzuar të përgjigjet.

Autoriteti Kontraktues – Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit është duke e ndryshuar dosjen e tenderit, konkretisht duke bërë ndryshime tek kriteret kryesore “kapaciteti ekonomik dhe financiar”, “kapaciteti teknik dhe profesionale”.

Në publikimin e djeshëm, këto kritere janë zbutur në krahasim më kriteret e vendosura në dosjen e tenderit të javës së kaluar. P.sh, tash është kërkuar që: OE duhet të ofroj dëshmi të kënaqshme se qarkullimi vjetor (2019, 2018, 2017) gjatë 3 viteve të fundit në vlere prej jo më pak se për pjesën I 14 milionë euro, për pjesën II 14 milionë euro për pjesën III 14 milionë euro dhe për pjesën IV 14 milionë euro, 1. Deklaratat Tatimore vjetore te dorëzuara ne ATK për tri vitet e fundit (2019, 2018, 2017). Nëse Operatori Ekonomik aplikon si grup Lideri duhet të ketë 50 % të shumës se kërkuar, ndërsa 50 % të shumës se kërkuar i pranohen anëtar-it ve të tjerë të konsorciumit. Ndërkohë në dosjen e javës së kaluar kjo pikë ka qenë që: OE duhet te ofroj dëshmi të kënaqshme se qarkullimi vjetor (2019, 2018, 2017) gjate 3 viteve te fundit ne vlere prej jo me pak se për pjesën I 20 milionë euro, për pjesën II 20 milionë euro për pjesën III 20 milionë euro dhe për pjesën IV 20 milionë euro, 1. Deklaratat Tatimore vjetore te dorëzuara ne ATK për tri vitet e fundit (2019, 2018, 2017). Nëse Operatori Ekonomik aplikojnë si grup Lideri duhet të ketë 60 % të shumës se kërkuar, ndërsa 40 % të shumës se kërkuar i pranohen anëtar-it ve të tjerë të konsorciumit.

Po ashtu, janë bërë edhe disa ndryshime tjera të këto dy pika të kritereve në “njoftimin për kontratë”. Ky ndryshim i kritereve shfaq dyshimet për ndërhyrje të mundshme të ministrit për t’ia përshtatur kriteret ndonjë kompanie të caktuar. /Lajmi.net/