Përkundër vendimit të ministrit, vazhdohet me procedurat e prokurimit për Autostradën e Gjilanit

Ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, të premten, ka kërkuar nga të gjitha departamentet përgjegjëse të ministrisë, mundësinë e anulimit të tenderit 110 milionë euro, për 24 kilometrat Banullë - Dheu i Bardhë.

Lajme

07/02/2020 15:27

Në konferencë për medie, ministri Abdixhiku tregoi se ka pranuar dy opinione zyrtare nga dy institucione relevante, Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik dhe nga Ministria e Financave e Qeverisë së kaluar, të cilat theksojnë se pa alokim paraprak të mjeteve, nuk mund te shpallen thirrje qe krijojnë obligime financiare për Republikën e Kosovës.

Por, në të njërën ditë që ministri ka dal në konferencë (sot), zyra e prokurimit të ministrisë ka bërë njoftim për korrigjim të kësaj procedure të prokurimit, dhe jo njoftim për anulimin e procedurës së prokurimit, shkruan lajmi.net.

Në ueb-faqen e KRPP-së, sot është publikuar njoftimi i ministrisë me titull “Njoftim për informata shtesë ose përmirësim i gabimit”.

Pra, nëpërmjet këtij formulari, prokurimi i ministrisë ka bërë njoftim për përmirësimin e disa kritereve bazë të njoftimit për kontratë, siç janë “kapacitetet ekonomike dhe financiare”, “kapacitetet ekonomike dhe profesionale”. Po ashtu, është bërë njoftim se garuesit mund të ofertojnë më shumë se për një pjesë të tenderit, pasi tenderi në tersi është i ndarë në 4 pjesë (loto). Po sipas këtij njoftimi, afati i fundit për pranimin e tenderëve është data 24 shkurt 2020, ora 14:00.

Ditë më parë lajmi.net kishte raportuar se ministria kishte hapur tender 110 milionë euro, ani pse buxheti i shtetit nuk është miratuar akoma. Decitivisht tenderi quhet  “Ndërtimi i Autoudhës A7.1 Kryqëzimi në disnivel A6  A7.1(Banullë)-Dheu i Bardhë, pjesa Udhëkryqi Bresallc-Dheu i Bardhë. Nga Stac. 26+875.00-Stac. 51+752.00”. Në ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit nuk patën dhenë sqarim lidhur më këtë tender të hapur me 14 janar 2020.

Që nga fillimi i “njoftimit për kontratë”, ky tender është shoqëruar me shkelje ligjore nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës. Kjo pasi, prokurimi i ministrisë ka përpiluar kritere të kundërligjshme dhe të njëjtat i kishte publikuar në dosjen e tenderit, pra ato nuk ishte në harmoni me Ligjin e Prokurimit Publik. Duke parë këto shkelje, disa kompani të interesuara për këtë tender janë ankuar tek Autoriteti Kontraktues -Ministria e Infrastrukturës, duke e njoftuar se janë bërë shkelje të rënda. Ndërkohë, ministria ka pranuar se ka bërë shkelje dhe e ka aprovuar ankesat e tyre. Fillimisht e ka pezulluar procedurën e prokurimit, duke njoftuar se do ta rishikojë dosjen në tërësi dhe të premten do ta publikojë atë të përmirësuar. Ndërkohë, dosjen e përmirësuar, prokurimi i ministrisë e ka publikuar të enjten (dje), ndërse sot ka bërë njoftim të ri në KRPP për disa korrigjime të vogla në dosjen e tenderit.

Megjithëkëtë, tashmë është duke u ndërtuar një autoudhë e njohur si “Autostrada e Gjilanit”, e cila e ka pasur titullin e njëjtë të tenderit “Ndërtimin e Autostradës A7.1 – Kryqëzimi në Disnivel R6/R7.1 (Banullë) deri te Dheu i Bardhë (kufiri me Serbinë)”.

Por tenderi i ri prej 110 milionë eurove është vazhdim i punimeve, ani pse punët e lidhura nga kontratat paraprake janë në fazën thuajse fillestare, të cilat patën nisur në vitin 2018. Ky tender është duke u hetuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Vlen të theksohet se tenderi ishte shpallur në ditën e fundit të qeverisë Mustafa, derisa me këtë ministri udhëhiqte Lutfi Zharku i LDK-së. /Lajmi.net/

Dokumenti i publikuar sot: