Llorente në shitje

Interesimi për Alvaro Moratan, Alexis Sanchezin dhe kontaktet me Didier Drogban kanë bërë që Juventus të nxjerr në shitje sulmuesin Fernando Llorente, i cili kërkohet nga Barcelona.

Sport

06/06/2014 09:37

I interesuar për transferimin e sulmuesit të Real Madridit, Alvaro Morata dhe me marrëveshje në parim për angazhimin e yllit të Barcelonës, Alexis Sanchez, Juventus vazhdon të jetë në kontakt edhe me Didier Drogban.

Dhe, krejt kjo ka bërë që Fernando Llorente të nxirret në shitje, gjatë këtij afati kalimtar të verës, ka njoftuar e përditshmja italiane La Stampa.

Llorente shkëlqeu duke shënuar 16 gola në edicionin e tij të parë në Serie A pas transferimit si futbollist i lirë nga Athletic Bilbao.

Mirëpo, interesimi i kampionit të Italisë për një numër të caktuar sulmuesish përfshirë Moratan e Sanchezin ka hedhur dyshime mbi të ardhmen e Llorentes në Torino.

Sulmuesi spanjoll spekulohet se kërkohet nga trajneri i ri i Barcelonës, Luis Enrique e madje është përmendur edhe si opsion që mund të përfshihet në marrëveshjen mes klubeve për transferimin e Sanchezit në Juventus.

Në fakt, sipas La Stampa, i vetmi sulmues i Juventusit i konfirmuar për sezonin e ri është Carlos Tevez.