Lituania kërkon hetim të shpejtë

Ministri i Punëve të Jashtme i Lituanisë dënoi përdorimin e dhunës kundër stafit të Misionit të BE’së për Sundim të Ligjit në Kosovë.

Lajme

19/09/2013 12:34

Ministri i Punëve të Jashtme i Lituanisë, Linas Linkevičius, i ka shprehur ngushëllime familjes për vdekjen e zyrtarit doganor të Lituanisë Audrius Šenavičius, në veri të Kosovës, dhe ka dënuar ashpër përdorimin e dhunës kundër stafit të Misionit të BE’së për Sundim të Ligjit (EULEX).

“U dërgoj ngushëllimet më të thella familjes në zi për vdekjen e oficerit dhe u dëshiroj atyre forcë në këtë kohë pikëllimi”, ka thënë Linkevičius.

Ai shprehu shpresën që incidenti do të hetohet së shpejti.

Audrius Šenavičius ka shërbyer në EULEX që nga gushti i vitit 2012.

Lituania thekson se stabiliteti dhe siguria në rajon mbesin prioritete të BE’së, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Lituanisë.