Lista Srbija është kapitullim për Kosovën

Adem Demaçi e sheh si shumë të rrezikshme pjesëmarrjen e serbëve me një listë të përbashkët të quajtur “Srbija”. Ai thotë se këto votime janë shumë të dëmshme dhe me to nuk fitohet asgjë.

Lajme

05/09/2013 12:48

Veprimtari i njohur thotë me pjesëmarrja e serbëve me këtë listë unike do të fitojë Serbia, ndërsa Kosova do të dalë humbëse.

“Nëse del një listë me emrin ‘Serbia’ do të jetë mjaftë e rrezikshme. Sepse, këta me këtë gjë po vlerësojnë se këtu është Serbi. Dhe, nëse lejohen që të marrin pjesë me atë listë – është një kapitullim.”

“Këto votime janë shumë të dëmshme për neve dhe ne nuk fitojmë asgjë, ndërsa Serbia do të dal fituese nga këto zgjedhje.”

“KQZ nuk e hoqi logon. Këtë punë e bëri vendimi që është marrë në Bruksel. Nuk po më vjen mirë që kryeministri po mundohet të fajëson KQZ’në. E KQZ dihet se është instrument i pushtetit që i zbaton urdhrat që i vien”.

“KQZ nuk ka mundur t’i ngulë këmbët e të thotë se nuk i heq, sepse kishin ‘fluturuar’ të gjithë dhe kishin ardhur të tjerë. Kryeministri e të tjerët po lëshojnë pe. Evropa po ia plotëson të gjitha kërkesat Serbisë, me qëllim që ta përfshijë Serbinë në BE dhe NATO”.

Demaçi i sheh si të kota përpjekjet e BE-së për ta përmirësuar Serbinë, përderisa në krye të saj  “janë fashistët dhe kriminelët”, që nuk njohin gjuhë tjetër përpos urrejtjes dhe dhunës.

(Kosovapress, Lajmi.net)