‘Lista Serbe’ e ka pranuar Kosovën
Ministri Slobodan Petrovic thotë se Bashkësia e Komunave Serbe duhet të funksionojë në përputhje me ligjet e Kosovës. Deklaratat e Krstimir Pantic, sipas tij, janë në shpërputhje me pozitën që ai mban si Kryetar i Komunës së Mitrovicës së Veriut.

Lajme
Janë të kota deklaratat e kryetarëve të sapozgjedhur të Komunave nga “Lista Serbe” se nuk e njohin Kosovën, kur ata tashmë kanë marrë pjesë në një proces zgjedhor i cili ka qenë në përputhje me ligjet e Kosovës.
Kështu i ka komentuar Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Slobodan Petrovic, deklaratat e Kryetarit të sapozgjedhur të Mitrovicës së Veriut, Krstimir Pantic për mosnjohjen e institucioneve të Kosovës.
Petrovic, i cili është Kryetar i Partisë së Pavarur Liberale Serbe (SLS), thotë për lajmi.net se deklaratat e kryetarëve të komunave që vijnë nga “Lista Serbe”, bien ndesh me institucionet që ata i përfaqësojnë.
“Të gjitha deklaratat që janë bërë nga kandidatët e Listës Serbe se nuk e njohin shtetin e Kosovës, janë pjesë e fushatës zgjedhore. Ata kanë marrë pjesë në zgjedhje të cilat janë në përputhje me ligjet e Kosovës”.
Nëntë komunat të cilat pritet të qeverisen nga kryetarë të kandiduar nga Lista Serbe, pritet të jenë pjesë e Bashkësisë së Komunave Serbe.
Statuti i kësaj Bashkësie është duke krijuar kontradikta mes deklaratave të Kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Ivica Dacic, që gjatë takimit në Bruksel, përveç tjerash diskutuan lidhur edhe për këtë çështje.
Petrovic heziton të japë detaje lidhur me statutin e kësaj Bashkësie Komunash. Ai thotë se nuk dëshiron ta paragjykojë rregullimin ligjor të saj, pasi që, sipas tij, për këtë do të vendosin grupet punuese nga dy vendet.
“Për përcaktimin e statutit e këtij Asociacioni janë duke punuar grupe të cilat janë caktuar në korrik të këtij viti dhe do të ketë një përfundim të qartë sa i përket të këtij statuti”.
Kryetari i SLS’së thotë se çdo gjë duhet të rregullohet përmes Marrëveshjes së Brukselit.
“Për mua është me rëndësi që të respektohet Marrëveshja e Brukselit, e cila është si garantuese”.
“Të gjitha deklaratat që janë bërë nga kandidatët e Listës Serbe se nuk e njohin shtetin e Kosovës, janë pjesë e fushatës zgjedhore. Ata kanë marrë pjesë në zgjedhje të cilat janë në përputhje me ligjet e Kosovës”.
Komuna e Shtërpces, e cila është e vetmja që udhëhiqet nga partia e tij, sipas Petrovic, do t’i bashkëngjitet Bashkësisë së Komunave Serbe, vetëm në përputhje me ligjet e Kosovës.
“SLS ka qëndrim të qartë dhe natyrisht nuk do ta ndërrojë asnjëherë atë. Ne do të punojmë në përputhje me interesat e qytetarëve dhe me atë që është e shkruar në ligj”, thotë Slobodan Petrovic për lajmi.net.