Lirohet nga detyra Izedin Bytyqi, inicohet procedurë e shkeljes së rëndë disiplinore
Ministria e Infrastrukturës njofton opinionin publik se ministri Arban Abrashi, ka pezulluar nga detyra e Sekretarit të Përgjithshëm, z. Izedin Bytyqi dhe ndaj të njëjtit është inicuar procedura e shqyrtimit të shkeljes së rëndë disiplinore.

Lajme
Siç njofton Ministria, Bytyqi, gjatë muajit shkurt ka kthyer në punë si Udhëheqës të Departamentit të Prokurimit në MI, Nexhat Krasniqin, duke vepruar në kundërshtim me aktvendimin e plotfuqishëm të Gjykatës Supreme të Kosovës. Përmes këtij veprimi, Bytyqi bie ndesh edhe me zbatimin e parimit të ligjshmërisë dhe zbatimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, transmeton lajmi.net.
Moszbatimi i vendimit gjyqësor është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e Sekretarit të Përgjithshëm dhe institucioneve përkatëse, duke i cenuar kështu edhe dispozitat e Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Ministri Abrashi, thotë komunikata, shpreh vendosmërinë për hapje rrugë të funksionimit të drejtësisë në MI dhe ndalim të tentimit për të manipuluar me dokumentet e lëshuara nga institucionet e drejtësisë në Republikën e Kosovës. Mbi këtë bazë, Bytyqi është liruar nga detyra të hënën (01.03.2021). /Lajmi.net/