Linja hekurudhore Durrës – Prishtinë, projekt i domosdoshëm
Ndërtimi i hekurudhës që lidh Kosovën me Shqipërinë do jetë mundësi e mirë për të ulur koston e udhëtimit, stimulojë zhvillimin ekonomik dhe njëherësh rrit rëndësinë strategjike të shtetit, thotë Sadulla Avdiu, profesor në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Halim Gjergjizi, profesor në Kolegjin privat “Dardania”.
Lajme
Kosova dhe Shqipëria, në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, e cila u mbajt më 2 tetor në Tiranë, kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi për ndërtimin e linjës hekurudhore Prishtinë-Durrës.
Ky memorandum ka të bëjë me pikën e marrëveshjes së nënshkruar në Washington ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku të dyja palët janë pajtuar se do t’i përkushtohen një studimi të fizibilitetit për mundësitë e lidhjes së infrastrukturës hekurudhore Beograd- Prishtinë, me një port në det të thellë në Adriatik.
Linja hekurudhore Durrës- Prishtinë-Merdarë do vazhdojë në Nish.
Ministritë e të dy qeverive (Kosovës dhe Shqipërisë) janë dakorduar që të lëvizin shpejt në përgatitjen e plotë të studimit të fizibilitetit dhe sigurimit të fondeve nga SHBA-ja BE-ja dhe buxhetet e të dy qeverive.
Linja hekurudhore lehtëson qarkullimin
Sadullah Avdiu, profesor i lëndës “Projektimi i Hekurudhave”, në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, thotë për Radion Evropa e Lirë se investimi në transportin hekurudhor do të lehtësojë qarkullimin e qytetarëve dhe mallrave për të dy shtetet, por edhe lidhjen me vende të rajonit.
“Në krahasim me transportin rrugor, transporti hekurudhor është shumë më i lirë, kështu që Kosova përfiton shumë sepse shkurton distancën shumë”, tha Avdiu.
Edhe Halim Gjergjizi, profesor i politikave ekonomike në Kolegjin privat “Dardania”, thotë se me ndërtimin e linjave hekurudhore Kosova largohet nga izolimi në këtë fushë. Ai konsideron se përveç leverdisë që do të kenë qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë, linja hekurudhore rrit edhe interesimin edhe për investitorët e huaj.
“Transporti hekurudhor rrit rëndësinë specifike të shtetit. Kosova ka qenë e mbyllur me dekada sa i përket infrastrukturës hekurudhore, tashmë me këtë linjë Kosova bëhet nyje e rëndësishme në pjesën e Evropës. Infrastruktura rrugore është parakusht për investime dhe zhvillim ekonomik”, tha Gjergjizi.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në Tiranë ka thënë se gjatë muajve të fundit kanë punuar në vazhdimësi që të jenë një qeveri e cila shihet si kontribuuese e paqes dhe stabilitetit në rajon.
“Përmes këtij projekti besoj se do të ndërrojë komplet konjektura ekonomike në rajon dhe më gjerë”, tha Hoti.
Por, si do të ndërtohet kjo linjë, sa do të kushtojë, a do riparohet hekurudha e vjetër Prishtinë -Prizren, apo do ndërtohet linje e re, ushtruesi i detyrës se kryeshefi ekzekutiv të kompanisë “Infrakos” nuk ka qenë i qasshëm për këto përgjigjje.
Kosova ka qenë e gatshme për linjën hekurudhore Durrës-Prishtinë
Përveç linjës hekurudhore që lidh Kosovën dhe Shqipërinë, në vitin 2013 ka përfunduar autostrada ‘Ibrahim Rugova’.
Ndryshe, autoritetet në Prishtinë vazhdimisht kanë konfirmuar gatishmërinë për realizimin e projekteve të linjave hekurudhore dhe rrugore me vendet e rajonit, siç është linja hekurudhore Durrës – Prishtinë – Nish, projekt ky që lidh Shqipërinë, Kosovën dhe Serbinë.
Projektet rajonale hekurudhore ishin diskutuar edhe në Procesin e Berlinit, pjesë e të cilit është edhe Kosova.
Ky proces ishte iniciuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel në vitin 2014, në të cilin përfshihen dymbëdhjetë shtete, gjashtë shtete të Ballkanit Perëndimor të cilat janë në faza të ndryshme të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian dhe gjashtë shtete anëtare të BE-së.
Infrastruktura hekurudhore në Kosovë aktualisht vazhdon të përballet me një gjendje jo të mirë. Binarët, ndërtesat e stacioneve, stabilimentet sinjalizuese, pastaj operimet hekurudhore, lokomotivat, vagonët e udhëtarëve janë të vjetruara.
Modernizimi i segmenteve hekurudhore
Për të përmirësuar këtë infrastrukturë, vitin e kaluar ka filluar rehabilitimi i disa segmenteve hekurudhore, siç është segmenti Prishtinë – Hani i Elezit në kufi me Maqedoninë, që përfshin hekurudhën në një gjatësi prej 65 kilometrash.
Ndërkohë, po paralajmërohet që së shpejti të fillojë edhe linja e dytë, që përfshin rrjetin hekurudhor Prishtinë – Leshak, në kufirin me Serbinë.
Aktualisht, në Kosovë vija të rregullta për transport të brendshëm përmes trenave, ka në relacionin Prishtinë – Pejë, Hani i Elezit – Fushë Kosovë dhe anasjelltas.
Ndërsa, për transport ndërkombëtar, hekurudhat e Kosovës, kanë një tren të rregullt, që quhet “treni i shpejtë”, i cili qarkullon një herë në ditë në relacionin Prishtinë – Shkup – Prishtinë./REL