Limaj për fjalët përfundimtare të mbrojtjes: Sot edhe njëherë në Hagë u tha e vërteta jonë!

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka dal me reagim në lidhje me fjalët përfundimtare të mbrojtjes në seancën e sotshme në Hagë. Limaj në postimin e tij tha se edhe njëherë u tha e vërteta e UÇK-së sot në Hagë, transmeton lajmi.net. “Tendenca për ta paraqitur luftën tonë si ndërmarrje kriminale nuk është vetëm…

Lajme

11/02/2026 17:08

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka dal me reagim në lidhje me fjalët përfundimtare të mbrojtjes në seancën e sotshme në Hagë.

Limaj në postimin e tij tha se edhe njëherë u tha e vërteta e UÇK-së sot në Hagë, transmeton lajmi.net.

“Tendenca për ta paraqitur luftën tonë si ndërmarrje kriminale nuk është vetëm e padrejtë, është e rrezikshme dhe e papranueshme, është skandaloze edhe veç si ide! Nuk barazohet kurrë çlirimtari me agresorin. Nuk barazohet kurrë viktima me regjimin që kreu krime. Nuk tjetërsohet asnjëherë një luftë që e mbështeti bota demokratike. Sot mbrojtja foli me dinjitet. Foli me fakte. Foli me forcën e së vërtetës.”, tha ndër të tjera Limaj.

Ai në fund të postimit bëri thirrje që të gjithë të dalin në marshin “Drejtësi, jo politikë” me 17 shkurt në Prishtinë.

Postimi i plotë:

Sot edhe njëherë në Hagë u tha e vërteta jonë!
U dëgjua zëri që për vite me radhë është tentuar të shtrembërohet.
U tha qartë se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë për liri, për mbijetesë, për shtet e pavarësi. Ishte luftë për dinjitet kombëtar. Ishte luftë për ta ndalur spastrimin etnik dhe për ta ngritur flamurin e lirisë në këtë tokë.
Unë e kam kaluar këtë betejë më shumë se një herë. E di çfarë do të thotë të përballesh me akuza që tentojnë ta njollosin luftën tënde, luftën e popullit tënd për liri.
Por di edhe një gjë: askush, kurrë, nuk mund ta njollosë luftën tonë për çlirim. Askush nuk mund ta njollosë UÇK-në.
Ka aktgjykime. Ka fakte. Ka histori të shkruar me gjak, me plagë e me sakrificë.
UÇK-ja ishte përgjigjja e një populli të shtypur. Ishim aleatë të NATO dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ishim në anën e drejtë të historisë. Dhe kjo nuk ndryshohet me asnjë narrativë.
Tendenca për ta paraqitur luftën tonë si ndërmarrje kriminale nuk është vetëm e padrejtë, është e rrezikshme dhe e papranueshme, është skandaloze edhe veç si ide !
Nuk barazohet kurrë çlirimtari me agresorin.
Nuk barazohet kurrë viktima me regjimin që kreu krime.
Nuk tjetërsohet asnjëherë një luftë që e mbështeti bota demokratike.
Sot mbrojtja foli me dinjitet. Foli me fakte. Foli me forcën e së vërtetës.
Ne nuk frikësohemi kurrë nga drejtësia.
Ne kemi besim në drejtësi.
Jam i bindur se vendimi do të jetë në përputhje me të vërtetën historike, me sakrificën e mijëra luftëtarëve dhe me gjakun e dëshmorëve.
Por duhet dhe do ta kundërshtojmë gjithmonë çdo përpjekje për padrejtësi dhe për rishkrim historie.
Andaj, më 17 shkurt, në ora 14:00, në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, bashkohemi edhe njëherë !
Bashkohemi për të kërkuar drejtësi.
Bashkohemi për të mbrojtur të vërtetën tonë.
Bashkohemi për të dëshmuar se lufta jonë ishte e drejtë.
Le ta bëjmë të qartë:
Lufta jonë ishte e drejtë.
Historia jonë nuk rishkruhet.
Sakrifica e UÇK-së është e shenjtë.
Bashkimi ynë është forca jonë.
Qëndresa jonë është përgjigjja jonë.
Kjo Kosovë lindi nga sakrifica e këtij populli dhe nga lufta e UÇK-së.
F.L./lajmi.net/