Liberland do të ketë 35 mijë banorë, priten probleme me Serbinë e Kroacinë

Vit Jedliqka dhe shteti që ai dëshiron ta ndërtojë mes dy shteteve ballkanike, Serbisë dhe Kroacisë, i quajtur Liberland, vazhdojnë të jenë temë kryesore në mediat e huaja.

Bota

26/04/2015 15:38

Shtetasi çek, i cili e shpalli shtetin në shtatë kilometra katrorë, këtë herë dha një intervistë për CNN. Ndonëse askush nuk po e merr seriozisht, ai nuk e ka ndërmend të ndalet në projektin e tij.

“Unë do ta përshkruaja këtë si një revolucion botëror. Ky është vetëm fillimi”, tha ai, duke shtuar se “Liberlandi krenohet me lirinë personale dhe ekonomike për të gjithë njerëzit, siç garantohet nga Kushtetuta e cila kufizon pushtetin e politikanëve”.

Sipas tij, 300 mijë njerëz kanë dorëzuar aplikacione për marrjen e shtetësisë së Liberlandit, nga të cilat janë miratuar 20, transmeton Telegrafi.

“Mijëra amerikanë e zviceranë. Gjithashtu ka shumë arabë, të cilët ndihen të shtypur nën regjimet e tyre”, tha ai, duke shtuar që planifikon të jenë 35 mijë banorë të Liberalndit.

Por, për të kanë ardhur edhe qëndrimet skeptike nga Kroacia e Serbia, për çka ai thotë: “Presim probleme nga Serbia e Kroacia, por presim po ashtu që ligjet ndërkombëtare të aplikohen kundër çfarëdo aksioni kundër nesh, sepse ky është sulm në kombin e pavarur. Asgjë tjetër, pos rezistencës pasive, ne nuk do të ofrojmë. Tash do të përqendrohemi në ndërtimin rrugëve dhe vendbanimeve”.