Letra e zbuloi identitetin e shqiptarit që vrau çiftin britanik

Ali Qazimaj është shqiptari i dyshuar për vrasjen dhe zhdukjen e një çifti britanikësh të moshuar, në Suffolk të Britanisë, në fillim të këtij muaji. Hetimi i përbashkët mes Anglisë, Europolit dhe Shqipërisë ka bërë të mundur zbulimin e autorit të vrasjes.

Bota

19/06/2016 10:09

42-vjeçari Qazimaj u arrestua dy ditë më përpara në Luksenburg, në një hotel ku i fshihej policisë. Ai dyshohet se ka vrarë me thikë shtetasin Peter Stuart 75 vjeç, dhe ka zhdukur bashkëshorten e tij Sylvia 69 vjeç. Pas vrasjes dhe zhdukjes së çiftit britanik, Qazimaj është larguar nga Anglia. Në hetimet për zbardhjen e ngjarjes së rëndë të ndodhur këtë fillim muaji janë përfshirë policia Britanike, Europoli dhe Policia Shqiptare.

Hetimet për zbulimin e autorit janë ndihmuar dhe nga gazetarët e të përditshmes angleze “The Sun”. Organet policore u ndihmuan nga gazetarët e “The Sun”, pasi siguruan një letër dhe një numër celulari shqiptar, me anë të cilave bënë lidhjen me autorin e vrasjes së dyfishtë. Gazetarët britanikë ngritën dyshimin se 42-vjeçari përdorte emrin e vjedhur Ali Qazimaj, që u vërtetua më pas nga policia britanike. Shtetasi shqiptar Qazimaj, i njohur gjithashtu si Marco Costa në Britani, ka vjedhur identitetin e vërtetë të një shtetasi kosovar.

Në letrën e zbuluar nga gazetarët e të përditshmes britanike flitet për një tokë në shitje në afërsi të aeroportit të Rinasit, në Tiranë. Në letrën e zbuluar nga shoku i Qazimaj thuhet “900 metra tokë për t’u shitur, 300 – 500 metra nga e djathta e rotondos kur vjen nga Aeroporti “Nënë Tereza” në Tiranë me dokumenta të rregullta, me tapi origjinale. Kontakt telefon L. T Tiranë 0035569 ….” Një javë më parë, më 12 Qershor, autoritetet britanike kërkuan bashkëpunimin e Policisë Shqiptare, pas letrës së zbuluar, e cila vërteton së shtetasit kosovar Ali Qazimaj, i është vjedhur identiteti.

Sipas policisë britanike, ai ka mbërritur në Angli rreth 17 vite më parë, ku fitoi dhe statusin e refugjatit. Ai ka marrë menjëherë pasaportën britanike për shkak të konfliktit Serbi-Kosovë. Sipas verifikimeve britanike në Kosovë bëhet me dije se shtetasi i vërtetë, Ali Qazimaj, ishte një zdrukthtar dhe nuk kishte qenë asnjëherë në Angli dhe nuk fliste asnjë fjalë anglisht. Gjithashtu, Policia Shqiptare i ka ardhur në ndihmë autoriteteve britanike se shtetasi i dyshuar është shtetas shqiptar, i dënuar më parë për vepra të ndryshme penale në Shqipëri.

Burime pranë policisë bëjnë me dije se i kanë kërkuar autoriteteve britanike mirëkuptimin për të mos zbuluar identitetin e vërtetë të 42-vjeçarit nga Shqipëria e Mesme, për arsye të hetimit. Shqiptari akuzohet për vrasjen e ndodhur më 29 maj në Norfolk, ku 75-vjeçari Peter Stuart u qëllua për vdekje me një thikë nga Qazimaj. Trupi i Peter Stuart u gjet i pajetë në pyll, rreth 15 metra lart shtëpisë së tij në Weybread, të Suffolk, më 3 Qershor. Ai dhe bashkëshortja e tij u raportuan të humbur atë ditë, shkruan shekulli.

Arrestimi

Ali Qazimaj, 42 vjeç, u gjet në një hotel pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar gjatë dy javëve të fundit. “Daily Mail” ka raportuar se një anëtar i stafit të hotelit ku strehohej shqiptari, në Luksenburg ka identifikuar Qazimajn përmes fotografive që qarkullojnë në internet. Ai më pas ka lajmëruar autoritetet, duke bërë kështu të mundur dhe arrestimin . Efektivët nga Suffolk janë duke punuar me Agjencinë Kombëtare të Krimit, Prokurorinë e Shërbimit dhe autoritetet në Gjykatën e Luksenburgut për ekstradimin e Qazimajt, pasi ka një urdhër arresti evropian për të.