Lejohet marshi në kujtim të Çernobilit

Autoritetet në Bjellorusi do të lejojnë që opozita të organizojë marshin në kujtim të katarofës bërthamore të Çernobilit. Më herët këto marshe ishin ndaluar dhe shumë protestues ishin arrestuar e dënuar për huliganizëm dhe mosbindje të urdhrave policorë.

Bota

18/04/2014 21:11

Më 26 prill do të mbahet marshi që do të kujtojë katastrofën bërthamore të Çernobilit. Kështu kanë bërë të ditur autoritetet në Bjellorusi, duke thënë se ata do të lejojnë opozitarët në këtë vend që të mbajnë marshin përkujtues.

Udhëheqësi i partisë opozitare bjelloruse, Alyaksey Yanukevich, ka thënë për Radio Evropa e Lirë, se autoritetet e kanë ndryshuar paksa rrugën e marshit që ishte planifikuar mirëpo sipas tij, marshi do të mbahet ndonëse pak orë me vonesë, sesa që ishte planifikuar.

Marshimi në kujtim të viktimave të 26 prillit të vitit 1986 si rezultat i fatkeqësisë bërthamore Çernobili mbahet që nga viti 1988.

Aksidenti i 26 prillit, 1986, në njërin nga reaktorët e uzinës Çernobil, shkaktoi rrezatim tejet të lartë, që u përhap në të gjitha pjesët e Ukrainës, Bjellorusisë dhe nëpër Europë.

Miliona njerëz thuhet se janë helmuar dhe se vuajnë edhe sot pasojat.

Në vitet e mëparshme, gjatë mbajtjes së këtij marshimi ka pasur përleshje mes policisë dhe aktivistëve. Mandje, gjatë vitit të kaluar, policia i ka arrestuar disa aktivistë gjatë marshimit.Ata më vonë ishin shpallur fajtorë për huliganizëm dhe për mosbindjen ndaj urdhrave policore, raporton REL.