LDK: Parregullsi në Pejë, Prizren e Lipjan

LDK i bënë thirrje organeve të rendit që të jenë në krye të detyrës dhe urgjentisht të merren me të gjitha rastet e parregullsive në mënyrë që të sigurohet një proces i drejtë dhe i lirë zgjedhor.

Lajme

01/12/2013 09:43

Lidhja Demokratike e Kosovës raporton për disa parregullsi,që sipas kësaj partie, kanë ndodhur në disa qytete të Kosovës, ku sot po zhvillohet balotazhi.

LDK përmes një komunikata thotë se parregullësit kanë ndodhur në Prizren, Pejë dhe Lipjan.

“Në Pejë në Shkollën Fillore ‘Ramiz Sadiku’ mungojnë 10 fletët e para nga Regjistri i Votuesve me emrat e afërsisht 200 personave nga listat e votuesve”.

“Në Prizren  sipas përfaqësuesit tonë në KKZ dhe vëzhguesve e aktivistëve tonë në terren, mbrëmë vonë Sekretariati i KQZ’së ka hequr nga lista më shumë se 20 komisionerë të AKR’së (të cilët ishin në listë deri mbrëmë) dhe kanë shtypur kartela të reja për militantë të PDK’së të cilët i kanë futur në emër të AKR’së”.

“Sot, rreth ores 3 të mëngjesit këto kartela i ka sjellë shoferi i komunës së Prizrenit dhe i ka dorëzuar në KKZ.  Me këtë rast janë hequr nga qëndra 2007-A, komisionerët Bujar Kelmendi, Jetmir Kelmendi, Arben Lugaliu, Agim Kelmendi, Lulzim Kelmendi. Nga qendra 2014-A, është hequr Ardian Pulaj. Po ashtu janë hequr 3 komisionerë nga qendra 2002-A, dhe 3 komisionerë nga qendra 2009-A”.

“ Sot, në orën: 09:15, sipas përfaqësuesve tanë në KKZ,  Kryesuesi i KKZ-së në Prizren, Nysret Bytyqi, në mënyrë të kundërligjshme ka marrë një kuti me fletëvotime dhe tri vula nga magazina ku duhet të jenë dhe e ka vendosur atë në një zyre në ambientet e selisë së Kryetarit aktual të Prizrenit. Dyshohet për manipulim të mundshëm . Për këtë është njoftuar edhe Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren”.

“Në Prizren, në qendrën e votimit 2039a në Atmaxhë, truproja e Ramadan Mujës, po bënë presion tek votuesit. Ai nuk ka të ekspozuar kartelë identifikuese si zyrtar i zgjedhjeve. Për këtë është njoftuar edhe Policia e Kosovës në Prizren”.

“Mbrëmë, rreth orës 23:20, nënkryetari në ikje i Komunës së Lipjanit, Florent Hoxha, me veturë zyrtare të Kuvendit Komunal, së bashku me disa militantë të PDK-së, u kanë shkuar derë me derë, shtëpi për shtëpi qytetarëve të fshatrave Leletiq, Vërshevc, Magure, Qylagë Vrellë etj. Duke parë lëvizje të tilla të zyrtarëve të Komunës, qytetarët e Vrellës kanë tentuar ta ndalojnë këtë automjet për t’u informuar çfarë po kërkohet dhe, me atë rast, nënkryetari në ikje Florent Hoxha ka tentuar ta godasë me automjet një qytetar të Vrellës. Si rezultat, qytetarët e Vrellës e kanë bllokuar veturën e zyrtarit të lartpërmendur deri në kohën kur ka intervenuar policia e Kosovës dhe, pas ardhjes në vendngjarje, i dyshuari Florent Hoxha, ka përfunduar në stacion të policisë”.

LDK i bënë thirrje organeve të rendit që të jenë në krye të detyrës dhe urgjentisht të merren me të gjitha rastet e parregullsive në mënyrë që të sigurohet një proces i drejtë dhe i lirë zgjedhor. LDK-ja po ashtu thërret qytetarëy të vazhdojnë të dalin në votime në mënyrë që të kryejnë obligimin e tyre qytetarë dhe të shprehin vullnetin e tyre të lirë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre legjitim.