LDK mundohet të fshehë se në takim me Hargreaves u bisedua edhe për vendimin e Speciales – ambasadori britanik e zbulon në postimin e tij

Lidhja Demokratike e Kosovës sot në ora 11:51 publikoi në Facebook një postim ku njoftoi për takimin që kryetari i saj, Lumir Abdixhiku zhvilloi me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves. Në postimin e bërë, LDK tha se në këtë takim u diskutua për situatën aktuale politike dhe procesin e konstituimit të institucioneve, transmeton…

Lajme

23/09/2026 14:38

Lidhja Demokratike e Kosovës sot në ora 11:51 publikoi në Facebook një postim ku njoftoi për takimin që kryetari i saj, Lumir Abdixhiku zhvilloi me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves.

Në postimin e bërë, LDK tha se në këtë takim u diskutua për situatën aktuale politike dhe procesin e konstituimit të institucioneve, transmeton lajmi.net.

Por, në postimin e bërë, LDK nuk tregoi së në takim është biseduar edhe për vendimin e Gjykatës Speciale me 16 shtator, ku u dënuan me 81 vjet burgim ish-krerët e UÇK-së.

“Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, priti sot në Selinë Qendrore të LDK-së ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves. Gjatë takimit u diskutua për zhvillimet aktuale politike në vend dhe procesin e konstituimit të institucioneve të Republikës së Kosovës. Kryetari Abdixhiku e njoftoi ambasadorin Hargreaves për qëndrimet e LDK-së lidhur me zhvillimet e fundit, duke theksuar përkushtimin e LDK-së ndaj mbrojtjes së interesit të Republikës dhe funksionalitetit të institucioneve demokratike. Kryetari Abdixhiku shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës, duke theksuar rëndësinë e partneritetit të fuqishëm ndërmjet dy vendeve dhe të bashkëpunimit të ngushtë në funksion të demokracisë, sundimit të ligjit dhe stabilitetit të Republikës së Kosovës”, shkruhej në postimin e tyre.

Se u fol për vendimin e Speciales e zbuloi vetë ambasadori Hargreaves në postimin e bërë.

Ambasadori britanik e theksoi si temë të parë ­çështjen e verdiktit të Speciales dhe se përgjigja ndaj saj duhet të jetë e qetë.

‘’Sot u takova me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun. Diskutuam për rëndësinë e vazhdimit të reagimeve të qeta dhe dinjitoze ndaj aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës. Gjithashtu, theksuam nevojën për përfundimin sa më të shpejtë të formimit të institucioneve, në mënyrë që Kosova të mund të përqendrohet në përmbushjen e nevojave të qytetarëve të saj dhe në avancimin e objektivave tona të përbashkëta ndërkombëtare’’, ka shkruar ai.

Pse LDK deshi të mbaj të fshehur këtë detaj nga takimi i Abdixhikut me ambasadorin Hargreaves? Këtë mbetet ta sqaroj LDK dhe kryetari i saj, Lumir Abdixhiku./lajmi.net/