Muharremi: Pas protestave në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, tash kërkesa konkrete me afate kohore
Analisti Shënoll Muharremi ka kërkuar që protestat e fundit në Kosovë, të zhvilluara pas aktgjykimit të 16 shtatorit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, të shoqërohen me kërkesa konkrete dhe afate kohore. Përmes një postimi në Facebook, Muharremi ka thënë se protestat po zgjerohen dhe se kapaciteti për protesta sociale duhet të vazhdojë të përdoret edhe për…
Lajme
Analisti Shënoll Muharremi ka kërkuar që protestat e fundit në Kosovë, të zhvilluara pas aktgjykimit të 16 shtatorit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, të shoqërohen me kërkesa konkrete dhe afate kohore.
Përmes një postimi në Facebook, Muharremi ka thënë se protestat po zgjerohen dhe se kapaciteti për protesta sociale duhet të vazhdojë të përdoret edhe për tema të tjera, pavarësisht se kush është në pushtet.
Sipas tij, solidariteti dhe përkrahja për ish-krerët e UÇK-së janë shprehur qartë, ndërsa tani, sipas tij, duhet të përcaktohen kërkesa konkrete dhe të dihet se kujt i drejtohen ato.
“Solidariteti dhe përkrahja për krerët e UÇK-së u shpreh qartë. Tash është koha për kërkesa konkrete dhe rezultate konkrete”, ka shkruar Muharremi.
Ai ka paralajmëruar se pa kërkesa të qarta protestat mund të vazhdojnë gjatë pa arritur një qëllim konkret.
“Tash e tutje sa më pak gjeneralizime e më shumë kërkesa konkrete me afate kohore. Fokusi duhet të jetë tek arritja e rezultateve. E mbajtja e sa më shumë protestave e më gjatë nuk është qëllim në vete, por mjet me arritë rezultate specifike”, ka shkruar ai. /Lajmi.net/