LDK e pareformuar

Ish Presidenti Fatmir Sejdiu thotë se LDK mbetet e pareformuar. Ai shprehet kritik sa i përket ruajtjes së filozofisë së Rugovës. Thotë se LDK kishte përgjegjësinë kryesore për organizmin e shqiptarëve për pavarësi.

Lajme

23/12/2013 09:18

Kryetari aktual i LDK`së, Isa Mustafa, në vitin 2010 kur e kishte trashëguar postin kësaj partie, nga ish Presidenti Fatmir Sejdiu, kishte premtuar reforma të thella në këtë subjekt, por një gjë e tillë deri më tani nuk është parë ende.

Me rastin e 24 vjetorit të themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fatmir Sejdiu, ish-President i Republikës së Kosovës, ka thënë se partia e tij mbetet e pareformuar .

Në një intervistë për Epoka e Re, Sejdiu, i cili është Kryetar Nderi i LDK’së, është shprehur se projekti i tij për ndryshime në LDK ishte në fazën finale. Ai thotë se pas largimit të tij nuk ka dëgjuar se është punuar në këtë drejtim.

“Në projektin tim ishin punët në fazën finale, të krijohej programi politik i LDK’së me ndihmën e ekspertëve të partive popullore, për një periudhë afatgjatë, duke e bërë LDK’në parti të qendrës së djathtë në kuptimin e plotë të fjalës. Ata ishin përfshirë plotësisht dhe ekspertët e PP’së me ekspertët e LDK’së kishin filluar punën. Pas largimit tim nuk kam dëgjuar të jetë bërë ndonjë gjë në këtë drejtim”.

Sipas Sejdiut, humbja e Prishtinës në zgjedhjet e fundit lokale, flet për këputjen e hallkave thelbësore të partisë.

“Të fillojë një diskutim të gjerë, çfarë do të bëjë në të ardhmen. Rasti i humbjes së Prishtinës, ku LDK’ja gjithnjë ishte e fuqishme dhe pa dilemë forca kryesore që jepte kryetarin e saj, tregon se janë këputur shumë hallka thelbësore të frymës reale politike të LDK’së”.

“Klientelizmi dhe tendenca për të krijuar probleme aty ku nuk ka dhe për t’i fshehur problemet ku ekzistojnë mund të jenë me pasoja serioze në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”.

“Unë shoh se spektri politik i Kosovës po ndryshon dhe do të ketë sfida të mëdha për partitë që u projektuan si pronare të pushteteve afatgjata. Ka ngërç dhe mbyllje që duhet kapërcyer dhe shoh gatishmëri të madhe të anëtarësisë që të bëjë këtë”.

Sejdiu ka thënë se LDK kishte barrën kryesore për t`i organizuar shqiptarët për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

“LDK-ja u bë një lëvizje që i dha vizion, frymë dhe dinjitet rezistencës, për ta krijuar jo vetëm platformën e brendshme të kësaj rezistence, por edhe hapjen e një marrëdhënieje të re, konstante, me bashkësinë ndërkombëtare, me SHBA-të dhe me vendet e BE-së dhe vendet e tjera demokratike nga e gjithë bota”,

Ish-kryetari  i LDK`së është shprehur kritik sa i përket ruajtjes së filozofisë presidentit të atëhershëm Rugova.

“Duhet thënë se ka shpërdorime me personalitetin dhe veprën e presidentit Rugova. Komplekset dhe dobësitë nga ato politike, profesionale dhe morale, jo rrallë duke u thirrur në filozofinë e Rugovës, ka të vonuar që tashti duan t’i shërojnë edhe ata që për të gjallë të tij e fyenin dhe e minonin gjithë sa kishin mundësi”.