LB: Kemi shijuar lirinë në territorin e mbetur dhe i kemi mbyllur sytë para “mureve”
Lëvizja për Bashkim duke komentuar situatën në veri të Mitrovicës, ku ka fillua ndërtimi i një muri nga serbët ka thënë se kjo ngjarje sikur i ka zgjuar nga gjumi shqiptaret dhe se më një situatë të tillë nuk jemi përballuar .

Lajme
Sipas Lëvizjes për Bashkim gjatë këtyre viteve sjellja e shtetit të Kosovës, ka qenë thuajse nuk po ndodhë asgjë në veri.
“Por, ajo çka është më e keqja, që nga viti 1999 ne jemi sjellë sikur nuk po ndodhë asgjë! Kemi shijuar lirinë në territorin e mbetur dhe i kemi mbyllur sytë para “mureve”! Ajo çka është edhe më keq, edhe në bisedimet e Vjenës (2005), edhe në bisedimet e Brukselit (2011) as që është përmendur ekzistenca e “mureve”, por kemi zhvilluar bisedime për diskriminimin pozitiv apo edhe për avancimin e të drejtave të atyre “që ndërtonin mure”! Dhe nga këto bisedime në vend se të “shembeshin muret” në veri dhe lindje të Kosovës bisedimet prodhuan edhe një “mur” në Kuvendin e Kosovës! Serbëve, si mjeshtër të mureve, iu dha e drejta e vetos në Kuvendin e Kosovës”, thuhet në komuniaktën e LB-së.
Tutje, kjo parti vlerëson se Kosova me të gjitha këto mure nuk mund të ecë përpara.
“ Ajo është e kurthëruar në “zgjidhjet” që nuk janë zgjidhje! As Pakoja e Ahtisarit, as Kushtetuta e Kosovës, as diskriminimi pozitive, asociacionet e asteriksat nuk janë zgjidhje, sepse ato nuk e kanë parasysh vullnetin e shumicës – shqiptarëve!”
“Kosovës i duhet urgjentisht një zgjidhje, e cila mbështet në vullnetin e shumicës së banorëve të saj. Përndryshe, edhe nëse fizikisht rrëzohet muri në veri të Kosovës, “muret” që pengojnë ecjen përpara të Kosovës janë më të fuqishme sesa vullneti i saj!”, thuhet në komunikatën e LB-së./ lajmi.net