LAN-i bashkë me Vetëvendosjen në seancën e 12 shtatorit, marrëveshja afër (Video)

E plotësuar: Blloku LDK-AAK-Nisma, kanë afruar qëndrimet me Lëvizjen Vetëvendosje, dhe shumë shpejtë pritet të nënshkruajnë një marrëveshje, e cila do të bënte të shkon bashkë në seancën konstituive të Kuvendit. 

Lajme

08/09/2014 13:51

Liderët e Bllokut, Isa Mustafa dhe Ramush Haradinaj, sot pas takimit që zhvilluan në zyrat e LDK-së në Kuvendin e Kosovës, deklaruan se LAN-i vazhdon të jetë unik, dhe se janë shumë afër të arrijnë marrëveshje edhe me Vetëvendosjen.

Ata thanë se në seancën e 12 shtatorit blloku kundër Hashim Thaçit do të jetë edhe më i fuqishëm se sa në seancën e 17 korrikut, pasi tani janë fare afër që të arrijnë marrëveshje edhe me partinë e Albin Kurtit. 

Duke folur për partneritetin e mundshëm me Vetëvendosjen Haradinaj tha se mendojnë që në seancën e 12 shtatorit LAN-i të shkojë së bashku me Vetëvendosjen dhe për këtë tha se do të mundohen që të nënshkruajnë edhe marrëveshje, pasi që sipas tij, përafrimet në mes bllokut dhe VV-së janë përafruar.

“Ka pas një komunikim shumë intensiv këto ditë. Qëndrime janë përafruar dhe janë shumë afër që në këtë seancë ne të shkojmë së bashku. Informatat që kemi ne, qëndrimet janë përafruar”.

“Po me siguri po, dhe do të punojmë që përgatitjet për seancë ti kemi të përmbyllura para seancës”, u shpreh Haradinaj pas takimit të LAN-it.

Ndërsa, kreu i LDK-së, Isa Mustafa tha se nuk ekziston asnjë arsye apo fakt që ndonjëri prej deputetëve të partisë së tij të votojë për kandidatin për Kryetar të Kuvendit nga radhët e PDK-së.

Ai tha se në seancën konstituive të Kuvendit do të shkojnë për të respektuar të gjitha procedurat kushtetuese të Kuvendit dhe do të lejojnë që PDK-ja të shtjerrë të gjitha mundësitë dhe më pas ata do të veprojnë.

“Unë jam shumë i sigurt se nuk ekziston asnjë arsye dhe nuk ekziston asnjë fakt që ndonjë nga deputetët e LDK-së do të votojë ndryshe nga përcaktimi i ynë politik dhe caktimi ynë politik është që të çojmë përpara një program për të cilën jemi marrë vesh me AAK-në dhe Nismën. Kemi edhe përkrahjen edhe të Vetëvendosjes”.

“Ne do të shkojmë në Kuvend, do të respektojmë të gjitha procedurat kushtetuese të Kuvendit dhe do të shohim hapësirë që vendimi ka paraparë, pasi që vendimi ka thënë se deputetët duhet të gjejnë zgjidhje dhe ne do të angazhohemi maksimalisht që të gjejmë zgjidhje në Kuvend”.

“Ne nuk mund ta caktojmë sa herë, por unë konsiderojë se PDK-ja do t’i shtjerrë mundësitë e saj sepse atë ja ka mundësuar një vendim” .

_______________________________________

Fillon takimi i Bllokut 

Blloku LDK-AAK-Nisma janë takuar sërish sot. Ata janë mbledhur në zyrat e LDK-së, në Kuvendin e Kosovës, ku po diskutojnë për koordinim për seancën e 12 shtatorit. 

Në këtë takim, po marrin pjesë përfaqësuesit e LDK-së, AAK-së, dhe Nisma-s, por jo edhe ata të Lëvizjes Vetëvendosje.

LAN po diskuton se si do të veprojnë në seancës së 12 shtatorit në Kuvendin e Kosovës, e cila është do të jetë vazhdim i asaj të 17 korrikut, ku Isa Mustafa u zgjodh kryetar i legjislativit, vendim i cili i vlerësua si kundër-kushtetues nga Gjykata Kushtetuese. (lajmi.net)