Lamtumira e gjyshes së letërsisë

Vizionare, profete sociale, ikonë feministe, Nobeliste. Doris Lessing, e cila vdiq në moshën 94 vjeçare, ishte njëra ndër shkrimtaret më të rëndësishme në letërsinë botërore të shekullit 20.

ShowBiz

18/11/2013 10:36

Vizionare, profete, ikonë feministe, Nobeliste.

Doris Lessing, e cila vdiq në moshën 94 vjeçare, ishte njëra ndër shkrimtaret më të rëndësishme në letërsinë botërore të shekullit 20.

Përjetoi disa transformime të jashtëzakonshme të vokacionit – socrealiste komuniste, feministe hezituese, hulumtuese sufiste…

Doris Lessing, 1962

 

Shkroi romane, tregime të shkurta, ese dhe poema, duke u inspiruar nga fëmijëria në Afrikën Qendrore, mësimet e mistikëve të Lindjes, si dhe aktivizmi me grupet e lëvizjes komuniste.

Jonathan Clowes, mik i ngushtë dhe agjent i saj, tha se “ajo ishte shkrimtare e mrekullueshme me një mendje fascinuese dhe origjinale”.

“Rrëfimtare e fuqishme, me intelekt të ashpër dhe zemër të ngrohtë”.

Veprat e saj më të njohura janë The Golden Notebook (Shënime të arta), Memoirs of a Survivor (Kujtimet e të mbijetuarit) dhe The Summer Before the Dark (Vera para errësirës).

Në gjuhën shqipe veprat ia ka botuar shtëpia botuese Skanderbeg Books, nga Tirana: Fëmija i pestë (2008), Vera para errësirës (2010), Sërish dashuri (2012) dhe Shënime të arta (2013).

U bë fituesja më e vjetër e Çmimit Nobel për Letërsi – në vitin 2007, në moshën 88 vjeçare. Ishte gruaja e 11’të që mori këtë Çmim.

Akademia Suedeze e përshkroi Lessing si “shkrimtare epike e përvojës femërore, e cila me skepticizëm, zjarr dhe fuqi vizionare e ka analizuar civilizimin e përçarë”.

“Golden Notebook është vepër pioniere, ndër të paktat që krijuan idenë për raportin mes burrave dhe grave në shekullin 20”.

U kthye nga pazari, me qese në duar, dhe mori vesh se kishte fituar Nobelin.

 

U lind në Iran, në 1919, si fëmijë shkoi në Zimbabve, pastaj u vendos në Londër, në 1949, ku jetoi deri në fund të jetës.

Romani i saj i parë ishte The Grass is Singing (Bari po këndon), që u botua në vitin 1950, por popullaritetin e arriti me The Golden Notebook, në vitin 1962.

Përmbajtja e romaneve të saj ka të bëjë me përvojat autobiografike në Afrikë, betejat sociale dhe politike, trilerët psikologjikë dhe fantashkencën.

Lessing deklarohej skeptike për potencialin jetëndryshues të librit, por ajo vetë e pranonte se një libër ia kishte ndryshuar jetën – The Sufis (Sufistët), shkruar nga Idriz Shah.

Me shkrimet e saja ndikoi në ndryshimin e mënyrës në të cilën gratë perceptohen nga burrat, por edhe si e perceptojnë vetveten.

Ajo ishte shkrimtare e cila “nuk mund të mos shkruante”.

“Kam takuar vajza që më kanë thënë: ‘Nëna dhe gjyshja më kanë sugjeruar t’i lexoj librat tuaj’”.

“Kjo është arritje e rëndësishme, apo jo?”.

A.M.

Gazetarja Rudina Xhunga e kishte intervistuar Doris Lessing në vitin 2010.