Kushtetuesja po shqyrton ankesën e Listës Serbe, thotë s’është përmendur “Kuvendi i Prishtinës”
Gjykata Kushtetuese ka njoftuar se Lista Serbe në ankesën e saj për çështjen e nënkryetarit të Kuvendit, nuk e ka përdorur termin “Kuvendi i Prishtinës”, siç e kishte cekur në njoftimin publik vetë kjo parti. Lista Serbe një postim në rrjetet sociale kishte njoftuar të shtunën se ka bërë ankesë në Kushtetuese për procedurën e…

Lajme
Gjykata Kushtetuese ka njoftuar se Lista Serbe në ankesën e saj për çështjen e nënkryetarit të Kuvendit, nuk e ka përdorur termin “Kuvendi i Prishtinës”, siç e kishte cekur në njoftimin publik vetë kjo parti.
Lista Serbe një postim në rrjetet sociale kishte njoftuar të shtunën se ka bërë ankesë në Kushtetuese për procedurën e zgjedhjes së nënkryetarëve të Kuvendit, nga radhët e komunitetit serbë gjatë seancës konstituive.
Rasti ka nxitur reagime të shumta, ndërsa tash zëdhënësi i Gjykatës Kushtetuese, Veton Dula ka konfirmuar se gjykata ka pranuar këtë kërkesë me 30 gusht dhe se po merret me ankesën e Listës Serbe.
“Kërkesa e parashtruar nga përfaqësuesit e Listës Serbe, më 30 gusht 2025, është duke u proceduar nga Gjykata. Në kërkesën e parashtruar nuk figuron askund termi ‘Kuvendi i Prishtinës”, tha ai.
Kryeparlamentari Dimal Basha në seancën që ka nis zgjedhja e nënkryetarëve nga komuniteti serb, ka ndarë procesin e votimit për nënkryetarët nga radhët e komuniteteve.
Këtë procedurë Lista Serbe e pati quajtur si kundër ligjeve dhe rregullores së Kuvendit. Megjithatë, nëntë deputetët e kësaj partie nuk kanë marrë shumicën e votave në Kuvend për t’u zgjedhur nënkryetar.
Votat nuk i mori as deputeti tjetër serb, Nenad Rashiq, që nuk i takon këtij grupi.
Pavarësisht dështimit për të zgjedhur një nënkryetar serb, Basha e ka shpallur të konstituuar Kuvendin.