​Kushtetuesja gjen shkelje një aktvendim të Supremes, e shpall të pavlefshëm

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar një aktgjykim, ku ka konkluduar se aktvendimi i kontestuar i Gjykatës Supreme, është nxjerrë në shkelje të të drejtave kushtetuese të parashtruesve të kërkesave. Bëhet fjalë për aktgjykimin e parashtruar nga Dino’s Las Vegas sh.p.k dhe Matrix sh.p.k, përmes së cilit është kërkuar vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktvendimit të…

Lajme

10/03/2025 16:58

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar një aktgjykim, ku ka konkluduar se aktvendimi i kontestuar i Gjykatës Supreme, është nxjerrë në shkelje të të drejtave kushtetuese të parashtruesve të kërkesave.

Bëhet fjalë për aktgjykimin e parashtruar nga Dino’s Las Vegas sh.p.k dhe Matrix sh.p.k, përmes së cilit është kërkuar vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktvendimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, të 3 majit 2023.

“Gjykata, njëzëri deklaroi se kërkesa është e pranueshme; konstatoi se ka pasur shkelje të paragrafit 1 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në ndërlidhje me paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; dhe shpalli të pavlefshëm aktvendimin e Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës të 3 majit 2023, si dhe e ktheu të njëjtin për rishqyrtim në pajtim me aktgjykimin e kësaj gjykate. Rrethanat e rastit ndërlidhen me një kontest civil, përkatësisht me një kërkesëpadi të iniciuar nga paditësi Play 4 Ëin sh.p.k., me seli në Pejë, kundër parashtrueseve të kërkesave Dino’s Las Vegas sh.p.k., Matrix sh.p.k. dhe Invest Kosova sh.p.k. Paditësi Play 4 Ëin sh.p.k., nëpërmjet kërkesëpadisë, kishte kërkuar kompensim dëmi për përdorim të papërgjegjshëm dhe të kundërligjshëm të markës tregtare të regjistruar nga paditësi. Gjykata Themelore në Prishtinë, duke vendosur sipas kërkesëpadisë, më 29 prilli 2021, kishte nxjerrë aktgjykimin me të cilin aprovoi kërkesëpadinë e paditësit Play 4 Ëin sh. p. k. Si rrjedhojë, parashtruesit e kërkesave ushtruan të drejtën e ankesës në Gjykatën e Apelit, e cila, me aktgjykimin të 7 tetorit 2021, e refuzoi ankesën e tyre dhe konfirmoi aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë. Të pakënaqur me rezultatin e procedurës, parashtruesit e kërkesave parashtruan kërkesë për revizion në Gjykatën Supreme, e cila nëpërmjet aktvendimit të 3 majit 2023, e kishte hedhur poshtë si të palejuar revizionin e tyre, nga shkaku se vlera e objektit të kontestit, bazuar në taksën gjyqësore të paguar prej njëzetë e pesë euro, nuk e kalonte shumën prej dhjetë mijë euro, për t’u pranuar shqyrtimi i revizionit në themel. Parashtruesit e kërkesave para Gjykatës Kushtetuese kontestuan aktvendimin e 3 majit 2023 të Gjykatës Supreme, duke pretenduar shkeljen e të drejtave të tyre, të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, si dhe paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Pretendimi kryesor i parashtruesve të kërkesës për shkelje kushtetuese, bazohej në faktin se shuma e vlerës së kontestit nuk ishte përcaktuar as nga paditësi dhe as nga gjykata e shkallës së parë, sipas detyrës zyrtare, dhe se për këtë arsye kërkesa për revizion nuk mund të hidhej poshtë si e palejuar nga Gjykata Supreme, por do të duhej shqyrtuar në merita”, thuhet në njoftim.

Në vlerësimin e thelbit të pretendimeve të parashtruesve të kërkesave, Gjykata fillimisht shtjelloi parimet e përgjithshme të praktikës së saj gjyqësore dhe asaj të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut përkitazi me të drejtën për qasje në gjykatë, dhe më pas i aplikoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret.

“Sipas sqarimeve të dhëna në aktgjykim, Gjykata theksoi se gjykata e rregullt është e detyruar të përcaktojë vlerën monetare të objektit të kontestit, sipas kritereve objektive, bazuar në të dhënat e kërkesëpadisë, duke vlerësuar nëse vlera e objektit të kontestit është shënuar në kërkesëpadi dhe nëse ajo është shënuar tepër e lartë apo shumë e ulët. Gjykata tutje vlerësoi se, ky verifikim zbatohet deri në kufirin e probabilitetit të pranueshëm, sepse çdo shqyrtim më i thellë i problemit, përkatësisht kërkesëpadisë, do të rrezikonte realizimin e detyrës themelore të gjykatës, që është sigurimi i mbrojtjes juridike. Për më tepër, Gjykata vlerësoi se pagesa e taksës gjyqësore në shumën prej njëzetë e pesë (25) euro, nuk mund të shërbente si parametër i vetëm për caktimin e vlerës së objektit të kontestit në fjalë, nga shkaku se paditësi kishte paguar taksën në fjalë, si kushtëzim i cili ia mundëson palës paditëse që kërkesëpadia e tij/saj të pranohet nga gjykata në kuptimin procedural dhe jo të hidhet poshtë si një kërkesëpadi e paplotë para fillimit të gjykimit të thelbit të çështjes. Gjykata në lidhje me këtë çështje vlerësoi se referimi i Gjykatës Supreme në dispozitën e nenit 508 të Ligjit për Procedurën Kontestimore dhe dhënia e arsyetimit pa shqyrtimin paraprak të lëshimit të mundshëm procedural, duke e kaluar përgjegjësinë vetëm mbi parashtruesit e kërkesës dhe jo ndaj instancave që kanë lëshuar këto gabime procedurale, përbënte “formalizëm të tepruar” në interpretimin e rregulloreve ligjore, sidomos për arsye se Gjykata Supreme në vlerësimin e lejueshmërisë nuk mori parasysh dispozitat ligjore të nenit 36 të Ligjit për Procedurën Kontestimore. Në këto rrethana, Gjykata arriti në përfundimin se vendimmarrja e Gjykatës Supreme në rrethanat e rastit konkret përbënte pengesë joproporcionale e cila kishte cenuar vetë thelbin e të drejtës së parashtruesve të kërkesave, të garantuar me paragrafin 1 të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të KEDNJ-së, dhe se e njëjta ka tejkaluar lirinë e vlerësimit. Për pasojë dhe ashtu siç është theksuar në Aktgjykimin e publikuar, Gjykata, duke u bazuar në analizën e mësipërme konkludoi se Aktvendimi i kontestuar i Gjykatës Supreme [E. Rev. nr. 5/2022] i 3 majit 2023, është nxjerrë në shkelje të të drejtave kushtetuese të parashtruesve të kërkesave, të garantuara me paragrafin 1 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së”, thuhet në njofitm.