Kushtet e Stefan Fule për Serbinë

Komisioneri për Zgjerimin e BE’së, Stefan Fule, thotë së Serbia duhet të plotësojë disa kushte për anëtarësim në Bashkimin Europian. Ai deklaron qartë se kusht kryesor për këto bisedime është normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën.

Lajme

20/01/2014 17:00

Komisioneri për Zgjerimin e BE’së, Stefan Fule, bëri të ditur se më 21 janar 2014 do të zhvillohet konferenca e parë ndërmjet Brukselit dhe Beogradit në nivel qeveritar.

Në një prononcim për Deutche Welle, Fule tha se në këto negociata, kusht kryesor për Serbinë do të jetë raporti me Kosovën.

Ai ka përmendur edhe disa kushte që Serbia deri më tani vlerësohet se i ka përmbushur.

“Në rrugën e tyre drejt pranimit, kandidatët duhet të përmbushin edhe kushte të caktuara, në përputhje me situatën e tyre specifike. Për Serbinë ka qenë bashkëpunimi me Gjykatën Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë në Hagë. Këtë kusht Beogradi e ka përmbushur tashmë me arrestimin dhe dorëzimin e kriminelëve të luftës Ratko Mladic dhe Radovan Karadzic”.

“Një kusht kryesor tani është raporti me Kosovën”.

“Beogradi nuk e njeh pavarësinë e Kosovës të shpallur në vitin 2008. Megjithatë, Qeveria në Beograd nënshkroi një marrëveshje me Qeverinë e Kosovës, e cila parashikon një autonomi të gjerë për komunitetin serb në Kosovë, por në të njëjtën kohë kufizon ndikimin e drejtpërdrejtë të Beogradit në këto komunitete”.

“Gjatë negociatave për anëtarësim në BE do të vazhdoj të vëzhgoj me shumë vëmendje marrëdhëniet e Serbisë me Kosovën”.

“Në fund të këtij procesi është e nevojshme një marrëveshje detyruese ligjore për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, thuhet nga BE”.

“Për të hyrë në Bashkimin Europian Beogradi nuk duhet të njohë zyrtarisht Kosovën si shtet të pavarur. Këtë nuk e kanë bërë deri tani edhe pesë anëtarë të tjerë të BE’së, Spanja, Greqia, Qipro, Rumania dhe Sllovakia”.