Kush është kryeprokurori i ri i Shtetit

Aleksandër Lumezi është dekretuar sot nga presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, në pozitën e kryeprokurorit të Shtetit. Pas një procesi të stërzgjatur, njëvjeçar, të ndikuar nga klanet dhe politika, Aleksandër Lumezi ia ka arritur të fitojë betejën që, siç ka thënë ai, do t’i jep fund ndikimeve të të gjitha llojeve mbi Prokurorinë e Republikës së Kosovës.

Lajme

21/04/2015 17:08

Lumezi, i lindur më 1964, në Prizren, ka mbaruar Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës, ku po ashtu ka dhënë edhe Provimin e Jurisprudencës. Ai është i biri i avokatit Nikë Lumezi, ish kryetar i Gjykatës Supreme të Kosovës. Më 1989, dy vjet, ka filluar punën si praktikantë në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, por më pas ka punuar në zyrën e avokatisë së babait të tij në Prishtinë.

Më 1998-1999 Lumezi ishte bartës i projektit “Ndihmë Juridike grave”, të Fondacionit Soros, ndërsa dy vjet më pas ishte Hulumtues në Fondin për të drejtën Humanitare, zyra në Prishtinë.

Nga vitit 2000-2008, kryeprokurori i porsa-dekretuar ishte zëvendës/kryeprokuror në Prokurorinë Komunale të Prishtinës, ndërsa 2008-2010 ishte kryeprokuror i kësaj prokurorie.

Në qershor të vitit 2010, Lumezi është përzgjedhur kryeprokuror në Prokurorinë e Qarkut në Prishtinë, e cila më vonë ka marrë emrin Prokuroria e Apelit dhe prej sot nga kjo pozitë do të kalojë në krye të Prokurorisë së Republikës së Kosovës, si Kryeprokuror i Shtetit.

Lumezi gjatë karrierës së tij ka marrë pjesë në shumë trajnime dhe seminare nëpër shumë vende evropiane dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është i martuar dhe flet rrjedhshëm gjuhën serbo-kroate dhe gjuhën angleze.