Kusari-Lila: Qëllimi i opozitës është mbajtja e bllokadës në Kuvend – Zgjedhje sa më parë, për zgjidhje më të mirë

Kryetarja e Alternativës, deputetja e Kuvendit të Kosovës në koalicionin VV-Guxo-Alternativa, Mimoza Kusari-Lila ka reaguar pasi përsëri sot nuk është konstituuar Kuvendi i Kosovës, edhe pasi VV e ka vënë në votim deputetin Dimal Basha. Ajo ka thënë se kjo situatë nuk është asgjë e re, por vetëm përsëritje e qëllimit të opozitës, “mbajtja e…

Lajme

24/08/2025 17:17

Kryetarja e Alternativës, deputetja e Kuvendit të Kosovës në koalicionin VV-Guxo-Alternativa, Mimoza Kusari-Lila ka reaguar pasi përsëri sot nuk është konstituuar Kuvendi i Kosovës, edhe pasi VV e ka vënë në votim deputetin Dimal Basha.

Ajo ka thënë se kjo situatë nuk është asgjë e re, por vetëm përsëritje e qëllimit të opozitës, “mbajtja e bllokadës në Kuvendin e Kosovës”.

Asnjë nga deklaratat e tyre publike nuk u respektua:

  • LDK që në fillim të prillit, deklaroi se nuk do ta bllokojë konstituimin e Kuvendit, por po bën të kundërtën.
  • PDK deklaroi se do të votojë këdo nga deputetët e zgjedhur që nuk ka qenë pjesë e kabinetit qeveritar, por sot dëshmoi të kundërtën.
  • Lista Serbe, që nga fillimi, ka mbajtur të njëjtin qëndrim me dy të parat”, ka shkruar Kusari Lila.

Ajo ka thënë se edhe pas kësaj situate, përsëri përmendet një zgjidhje nga Gjykata Kushtetuese pas 30 ditëve.

“Gjykata, Prokuroria – këto janë kryefjala e secilës deklaratë të eksponentëve të opozitës. Ajo që nuk u fitua përmes procesit të vetëm legjitim të demokracisë – zgjedhjeve – po tentohet të fitohet në sallat e gjykatës dhe me vendimet e Prokurorisë, sidomos asaj speciale. Prandaj, është urgjente gjetja e zgjidhjes për të shpallur zgjedhje të jashtëzakonshme nacionale. Demokracia buron nga vullneti i sovranit. E kur ky vullnet nuk respektohet, ai duhet të rikonfirmohet”, ka shkruar Kusari.

Për zgjidhjen e kësaj situate, Kusari-Lila ka kërkuar zgjedhje.

“Nuk ka më legjitimitet dhe as vullnet politik për të vazhduar me këtë strukturë të Kuvendit. Zgjedhje sa më parë, për zgjidhje më të mirë, për demokraci funksionale”, ka shtuar ajo. /Lajmi.net/

Postimi i plotë i saj në Facebook: