Kusari-Lila: Duhet të mbështetet mbrojtja e krerëve të UÇK-së në apelim

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se hapi i radhës pas vendimit të djeshëm ndaj katër krerëve të UÇK-sw duhet të jetë mbështetja e plotë për ekipet mbrojtëse dhe komunikimi me të gjithë akterët relevantë. Ajo ka deklaruar se duhet të punohet për të krijuar mundësinë që në fazat e mëtejme…

Lajme

17/09/2026 14:29

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se hapi i radhës pas vendimit të djeshëm ndaj katër krerëve të UÇK-sw duhet të jetë mbështetja e plotë për ekipet mbrojtëse dhe komunikimi me të gjithë akterët relevantë.

Ajo ka deklaruar se duhet të punohet për të krijuar mundësinë që në fazat e mëtejme të procesit në apelim të arrihet një verdikt lirues për të katër ish-krerët e UÇK-së.

Sipas saj, ajo që është thënë dhe prezantuar gjatë ditës së djeshme ka qenë rënduese jo vetëm për të akuzuarit, por edhe për Kosovën dhe përpjekjen shumëvjeçare për liri.

“Hapi i radhës është përgatitja, është së pari mbështetja e plotë për ekipin mbrojtës, e natyrisht edhe në aspektin e mbajtjes së vëmendjes e komunikimit me të gjithë akterët relevantë, për të ardhur deri në pikën ku një verdikt lirues do të jetë për të katërtit, për arsye se ajo çfarë u tha e u prezantua dje ishte më shumë se rënduese, jo vetëm për ata si individë, por edhe për të gjithë Kosovën, e natyrisht edhe për përpjekjen e betejën shumëvjeçare që është bërë për lirinë”, ka thënë Kusari-Lila.

Sipas saj, ajo që është thënë dhe prezantuar gjatë ditës së djeshme ka qenë rënduese jo vetëm për të akuzuarit, por edhe për Kosovën dhe përpjekjet shumëvjeçare për liri.

Kusari-Lila e ka cilësuar vendimin e djeshëm si “trishtues dhe të rëndë”, duke thënë se ai ka prekur jo vetëm qytetarët e Kosovës, por edhe shqiptarët në përgjithësi, transmeton Klankosova.tv.

“Vendimi i djeshëm ka qenë trishtues edhe i rëndë. Jo veç për qytetarët e Republikës së Kosovës po për gjithë shqiptarët. Gjithsesi që e mirëkuptoj edhe pezmin e frustrimin e protestën, po ajo çka është shumë e rëndësishme në këto momente është që të jemi të matur e të bëjmë veprimet e duhura që do të sjellin lirimin e plotë dhe të pakushte të katër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që padrejtësisht u rënduan me atë verdikt të ditës së djeshme. Prandaj, ajo çfarë ndodhi dje ka hapësirë e mundësi të korrigjohet, por duhet të jemi të bashkuar, me plan të qartë e natyrisht edhe me mençuri të lartë që të planifikojmë hapin e radhës për të sjellë drejtësinë e merituar”, ka theksuar Kusari-Lila.

E pyetur nëse pritet të mbahet ndonjë seancë në Kuvend gjatë ditës së sotme për këtë cështje, Kusari-Lila ka thënë se nuk ka informacione.

“Nuk kam informatë…Mbetet të shihet, por duhet me mençuri e shumë kujdesshëm të analizohet procesi. A ka ndonjë efekt seanca apo edhe ndonjë vendimmarrje në seancë, apo cilat duhet të jenë hapat e radhës për t’u siguruar që shanset rriten e ofrohet natyrisht mundësia e vendimit për lirimin e tyre”, ka shtuar Kusari-Lila.