Kusari: Kurti i ka hy RTK-së me pllug – njerëzit e VV-së i kanë thënë gazetarëve pas intervistave se “do u largojmë”
Juristja e medies, Flutura Kusari, ka folur për presionin politik që sipas saj, po e kanë gazetarët në RTK. Kusari tha se gjashtë prezantuesit e RTK-së të cilët u larguan ditë më parë, nuk do të jenë më në ekran për tri arsye të cilat ajo i përmendi. “Një; kanë folur për presionin politik që…

Lajme
Juristja e medies, Flutura Kusari, ka folur për presionin politik që sipas saj, po e kanë gazetarët në RTK.
Kusari tha se gjashtë prezantuesit e RTK-së të cilët u larguan ditë më parë, nuk do të jenë më në ekran për tri arsye të cilat ajo i përmendi.
“Një; kanë folur për presionin politik që po iu bëhet. Dy; për shkak se i kanë intervistuar ashtu si duhet të intervistohen njerëzit e pushtetit, po flasim për Dimal Bashën, Fitore Pacollin e të cilët e kanë shprehur publikisht pakënaqësinë e tyre në mënyrën se si iu është kërkuar llogari atyre”.
“Pra, pritjet e VV-së janë se shkojnë në RTK dhe gazetarët e RTK-së i pyesin ‘pse jeni kaq të mrekullueshëm?’. E kur nuk i pyesin ashtu, rezultati është që ata edhe kur dalin prej studiove iu kanë thënë direkt gazetarëve ‘kemi me iu heq’”.
“Këto janë diskutime që çdo mund t’i dëgjosh në RTK se çfarë presioni kanë ushtruar njerëzit e VV-së pasi kanë dalë prej intervistave. Gjashtë persona janë larguar prej ekranit, ashtu siç kanë premtuar menjëherë pasi kanë dalë prej intervistave”, tha Kusari në Rubikon në Klan Kosova.
Tutje, ajo u shpreh se arsyeja e tretë është që Lëvizja Vetëvendosje pret që të gjithë njerëzit që janë në RTK, e sidomos ata që janë në lajme, gjatë fushatës zgjedhore të sillen ‘si duhet’.
“Mendoj që largimi i gjashtë personave po i paraprinë që të krijohet një ambient ku propaganda e VV-së gjatë fushatës zgjedhore të zgjedhjeve lokale e nëse kemi edhe qendrore, të kalojë lirshëm, pa filtra, pa pengesa”, tha ajo, njofton Klankosova.tv.
Më tej, Kusari tha se në një takim në mes kryeministrit në detyrë, Albin Kurti dhe ish-drejtorit gjeneral të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, i pari i ka kërkuar të fundit që në RTK ‘duhet të hyj pllugu’.
“Ky lloj i censurës përmes veprimeve disiplinore kurrë më përpara nuk ka qenë. Ka pasur mundësi që t’i bëhet presion një gazetari, nuk e kanë avancuar, e kanë degraduar, por gjashtë persona të hiqen, kjo është zbatim i asaj që Kurti e ka quajtur ‘me pllug’”.
“Dihet botërisht që kur Kurti është takuar me ish-drejtorin gjeneral, Shkumbin Ahmetxhekaj dhe i ka kërkuar që të largohej prej pozitës së drejtorit të RTK-së, sepse ai ka dashur ta dërgojë një njeri të vetin, siç edhe ka bërë me Rilind Gërvallën, i ka thënë se ‘aty duhet të hyj pllugu’”.
“Ideja është që me i largu njerëzit pa procedura, pa ndjeshmëri për ligjin dhe ata të zëvendësohen me njerëz që dëgjojnë dhe këtë jemi duke e parë. Pra, një qëndrim i kryeministrit dhe kryetarit të VV-së që t’i hyjë transmetuesit publik me pllug, jemi duke e parë duke u zbatuar në praktikë”, tha ajo.