Kusari: Fushata e këshilltarit të Vjosa Osmanit mund të nxis sulme ndaj gazetarëve

Juristja e të drejtës së medias, Flutura Kusari ka reaguar pas deklaratave linçuese ndaj mediave të kryekëshilltarit të presidentes Vjosa Osmani, Blerim Vela.

Lajme

11/09/2021 15:37

Ky reagim i Kusarit vije pasi Vela i quajti mediat në Kosovë si “të ish regjimit pronto”, transmeton lajmi.net.

Madje Kusari edhe ka kërkuar nga presidentja Osmani që ta largojë Velen dhe të caktojë dikë tjetër për komunikim me media, në të kundërtën qasja e tij do të konsiderohet si qasje e presidentes ndaj mediave.

“Fushata e tij e pandalshme për të denigruar mediat dhe gazetarët -platformat e të cilëve i shfrytëzonte kur i duheshin- është e rrezikshme dhe mund të nxisë sulme fizike ndaj gazetarëve” ka shkruar Kusari.

Postimi i plotë i Flutura Kusarit:

Me luftën personale speciale kundër mediave, Blerim Vela do t’i shkaktojë dëm të pariparueshëm presidentes Vjosa Osmanit, institucioni i së cilës është shembull i transparencës.

Fushata e tij e pandalshme për të denigruar mediat dhe gazetarët -platformat e të cilëve i shfrytëzonte kur i duheshin- është e rrezikshme dhe mund të nxisë sulme fizike ndaj gazetarëve.

Mënyra se si ai komunikon me gazetarë -komunikim të cilin e kam parë dhe është publikuar- është ofenduese dhe nënçmuese.

Ai paguhet nga taksat tona dhe ka detyrim të japë llogari. Nuk i takon atij që t’i vlerësojë mediat ose të mundohet t’i frikësojë ata.

Presidentja duhet urgjentisht ta ndalojë këtë fushatë të tij dhe të caktojë dikë tjetër për komunikim me media, në të kundërtën qasja e tij do të konsiderohet si qasje e presidentes ndaj mediave. Çmimin politik do ta paguajë ajo, jo Vela.

Nëse flas me gjuhë të presidentes: regjia, nalja Twitterin Blerim Veles!. /Lajmi.net/