Kurti uron Turqinë dhe Erdoganin, thotë se kanë miqësi të fortë me Kosovën

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka përkujtuar një ditë të rëndësishme për popullin turk, atë të shkëputjes së Turqisë nga perandoria osmane dhe nisjes së luftës për liri e pavarësi.

Lajme

23/04/2020 09:57

Postimin e tij, Kurti e ka nisur me një fjali turke “Bayraminiz kutlu olsun”, që më shqip është një urim për festa, shkruan lajmi.net.

Kurti në postimin e tij e ka përshkruar pak arsyen e këtij urimi, duke treguar se Turqia në këtë datë ishte larguar nga perandoria osmane, nga ky kishte nisur luftën për liri e pavarësi.

“Prej asaj dite, 23 prilli festohet prej të gjithë turqve, si ditë e sovranitetin kombëtar, dhe si festë e fëmijëve”, ka shkruar kryeministri në detyrë i Kosovës.

Për këtë ditë, një urim të ngrohtë Kurti e ka pasur edhe për Erdoganin.

Postimi i plotë:

Bayraminiz kutlu olsun

Një shekull më parë, Turqia ishte e pushtuar prej disa fuqish të mëdha botëore.

Duke përfituar prej paaftësisë të perandorisë për ta mbrojtur vetveten, vende të tjera sulmuan për të pushtuar pjesë të mëdha të Turqisë.

Por, për fatin e mirë të Turqisë, të popullit e të miqve të saj, 100 vite më parë, në 23 prill 1920, Mustafa Qemali, Ataturku, midis luftës e shpalli Asamblenë e Madhe Kombëtare, e shkëputi Turqinë prej perandorisë osmane, dhe organizoi luftën për liri e pavarësi, që e fitoi tre vite më vonë, pasi që çliroi pjesët e pushtuara të Turqisë dhe qytetin më të madh e më strategjik, Stambollin.

Prej asaj dite, 23 prilli festohet prej të gjithë turqve, si ditë e sovranitetin kombëtar, dhe si festë e fëmijëve.

Kosova ka gjetur mbështetje dhe miqësi te Turqia, si vend i rëndësishëm i NATO-s, por edhe si vend mik i shqiptarëve. Po ashtu, Kosova është atdhe i një minoriteti turk, me kontribute të rëndësishme në vendin tonë.

Prandaj, në këtë përvjetor të rëndësishëm, dua ta uroj popullin e Republikës Turke për një shekull sovranitet e parlamentarizëm. Ua uroj këtë datë të gjithë institucioneve të Turqisë, me në krye presidentin Erdogan, siç ua uroj edhe gjithë turqve të Kosovës. Patjetër, ua uroj edhe fëmijëve, meqë në Turqi kjo është edhe festë e fëmijëve.

Gëzuar, për miqësinë e fortë të Kosovës e shqiptarëve me Turqinë. /Lajmi.net/