Kurti thotë se Rushiti mund të bëhej Presidente: Votat i kishte por nuk kishte kuorum – Është nder që e kishim kandidate
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur përsëri sot para mediave, pasi është shpërndarë Kuvendi i Kosovës. Ai ka thënë se zgjedhja e Presidentit të Kosovës ishte e mundur pasi Feride Rushiti dje mori 66 vota për, por sipas tij mungon opozita. “Ajo që mungon është opozita, e cila me sjelljen e saj joshtetërore dhe…
Lajme
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur përsëri sot para mediave, pasi është shpërndarë Kuvendi i Kosovës.
Ai ka thënë se zgjedhja e Presidentit të Kosovës ishte e mundur pasi Feride Rushiti dje mori 66 vota për, por sipas tij mungon opozita.
“Ajo që mungon është opozita, e cila me sjelljen e saj joshtetërore dhe joinstitucionale, përmes bojkotit dhe bllokimit, pamundësoi zhvillimin e raundit të parë dhe vazhdimin me raundin e dytë dhe të tretë. Feride Rushiti i ka votat për Presidente; ajo që nuk e ka Kosova është kuorumi në Kuvend”, ka thënë Kurti.
Ai e ka falënderuar Rushitin që ka pranuar të kandidoj për këtë detyrë.
“Unë e falënderoj përzemërsisht që ka pranuar të jetë kandidate dhe, si lidere e shoqërisë civile, një personalitet i dëshmuar në fushën e të drejtave të njeriut për pothuajse tri dekada, është nder për Republikën që e kishim kandidate. Njëkohësisht, e përgëzojmë për kontributin dhe punën e saj. Ajo u pengua nga opozita që të bëhet Presidente dhe që vendi të ketë funksionim demokratik dhe kompletim të udhëheqjes institucionale”, ka thënë Kurti. /Lajmi.net/