Kurti tha se beson se është situatë e montuar, por Kusari-Lila e konfirmon bashkëbisedimin me Radoiçiq
Një bisedë telefonike në mes Shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusarit me terroristin dhe ish-kryetarin e Listës Serbe, Milan Radojçiq u publikua ditë më parë në media. Biseda mes tyre ishte e shkurtër, por që bëri bujë të madhe për faktin se po bëhej fjalë për një deputete dhe një kryekriminel. Gjatë…

Lajme
Një bisedë telefonike në mes Shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusarit me terroristin dhe ish-kryetarin e Listës Serbe, Milan Radojçiq u publikua ditë më parë në media.
Biseda mes tyre ishte e shkurtër, por që bëri bujë të madhe për faktin se po bëhej fjalë për një deputete dhe një kryekriminel.
Gjatë ditës së sotme, Kusari-Lila vendosi që të flasë në lidhje me këtë çështje, por shumë shkurt.
Ajo e konfirmoi këtë bashkëbisedim, ndryshe nga kryeministri i vendit, Albin Kurti.
“Aaa Festim, deklarata të vitit të kaluar janë këto, para dy vjete”, tha Kusari-Lila për “Betimi për Drejtësi” derisa po hynte në Kuvend.
Në lidhje me këtë audio-incizim, kryeministri i vendit, Albin Kurti tha se nuk e ka dëgjuar, por që beson se është situatë e montuar.
“Unë vetë nuk i kam dëgjuar, por qytetarët e dinë se kush ka bashkëpunuar dhe e kanë shumë të qartë pse Radoiçiq ka ikur tash dhe nuk qëndron në qeveri. Ajo është një situatë e montuar dhe Radoiçiq këtë muaj i bënë 9 muaj që është i lirë në Serbi”, deklaroi Kurti.
Kurse Arlind Manxhuka, zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje i ka ikur diskursit të bisedës telefonike mes Mimoza Kusarit dhe Milan Radoiçiq, duke sulmuar partitë opozitare që kanë qenë në pushtet dhe duke i akuzuar ata se kanë bërë biznes me terroristin Milan Radoiçiq.
“Trashëgimia e keqe e tyre nuk bëhet dot mëkat i yni. Ata që kanë bërë biznese, koalicione, qeveri e miqësi me Radoiçiqin nuk mund të na bëjnë gjyqin neve sot. Me neve Radoiçiq ikë maleve me bisht nën shalë, e nuk zë vend në karrigat e zyrës së Kryeministrit. Kjo është sa për përkujtim për të gjithë korin kritikues e akuzues që i kemi dëgjuar dje e sot. Tjerat i gjykon më së mirë qytetari. Ai më së miri e di se ku ishte Lista Serbe dhe Radoiçiq para qeverisë sonë, dhe ku janë sot”, tha ai.
Deklaratat e ndryshme të Lëvizjes Vetëvendosje nuk tregojnë një qëndrim të përbashkët dhe të qartë, dhe kanë krijuar një diskurs të paqartë dhe konfuz. tek qytetarët./Lajmi.net/