​Kurti: Synojmë ta transformojmë ekonominë e Kosovës dhe të rrisim eksportet

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se synimi i Qeverisë është transformimi i ekonomisë së Kosovës, forcimi i prodhimit vendor dhe rritja e eksporteve në tregjet evropiane dhe ndërkombëtare. Këto deklarata Kurti i bëri gjatë ceremonisë së vënies së gurthemelit të Parkut Industrial në fshatin Livadicë të Podujevës. “Synimi ynë si qeveri është të…

Lajme

17/08/2026 10:05

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se synimi i Qeverisë është transformimi i ekonomisë së Kosovës, forcimi i prodhimit vendor dhe rritja e eksporteve në tregjet evropiane dhe ndërkombëtare.

Këto deklarata Kurti i bëri gjatë ceremonisë së vënies së gurthemelit të Parkut Industrial në fshatin Livadicë të Podujevës.

“Synimi ynë si qeveri është të transformojmë ekonominë e Kosovës, të forcojmë prodhimin vendor dhe të krijojmë sa më shumë produkte në lloje dhe në numër, Made in Kosova, ashtu që jo vetëm të zëvendësojmë, por edhe të rrisim eksportet në tregjet evropiane dhe ndërkombëtare. Faqet industriale janë të menduara për bizneset vendore të cilat duan të zgjerohen dhe të rrisin kapacitetet e tyre. Për qytetarët tonë nga diaspora që duan të sjellin kapitalin dhe përvojën e tyre në vendlindje, si dhe për investitorët e huaj që shohin mundësi për të zhvendosur një pjesë të prodhimit të tyre në Republikën e Kosovës… Sot po fillojmë me punimet ndërsa së shpejti pres që ky park të bëhet shtëpi e madhe e re për bizneset”, ka thënë Kurti.

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka theksuar se ministria është duke u angazhuar në aktivizimin e 16 zonave industriale.

“Aktualisht Ministria që drejtoj është duke u angazhuar në aktivizimin e 16-të zonave industriale. Synojmë që shumë shpejtë të ulim deficitin tregtar, të bëjmë zëvendësimin e produkteve të importuara, por edhe të rritet cilësia e eksporteve nga Republika e Kosovës…Jam shumë e lumtur që në këto 30 hektarë do të jenë shtëpi e bizneseve të reja, të cilat tashmë sipas informacioneve nga kryetari i komunës kanë një interesim të lartë. Punimet në këtë zonë industriale janë të parapara që të vazhdojnë deri në fillim të vitit 2028, por inkuarojmë kompaninë që të përmbyllen për aq sa kanë kapacitet të punës ne do të sigurohemi që të ju qëndrojmë afër”, ka thënë Kusari-Lila.

Ndërkaq, kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, e ka cilësuar Parkun Industrial si një prej projekteve më të rëndësishme ekonomike për komunën.

“Një prej projekteve ekonomike më të rëndësishme për komunën tonë dhe shumë e mirëpritur nga bizneset tona. Podujevës i ka munguar një projekt i tillë”, ka thënë Bulliqi.