Kusari-Lila: Parku Industrial i Podujevës, investim në një model të ri të zhvillimit ekonomik
Në fshatin Livadicë të Podujevës është hedhur gurthemeli për ndërtimin e Parkut Industrial të Podujevës, një projekt që synon të krijojë hapësirë të re për zhvillimin e bizneseve dhe industrisë në këtë komunë. Gurthemeli u vendos nga ministrja Mimoza Kusari-Lila, së bashku me kryeministrin Albin Kurti dhe kryetarin e Podujevës, Shpejtim Bulliqi, vetëm një muaj…
Lajme
Në fshatin Livadicë të Podujevës është hedhur gurthemeli për ndërtimin e Parkut Industrial të Podujevës, një projekt që synon të krijojë hapësirë të re për zhvillimin e bizneseve dhe industrisë në këtë komunë.
Gurthemeli u vendos nga ministrja Mimoza Kusari-Lila, së bashku me kryeministrin Albin Kurti dhe kryetarin e Podujevës, Shpejtim Bulliqi, vetëm një muaj pas nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit për këtë projekt.
Parku Industrial do të shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 30 hektarësh, ndërsa investimi për ndërtimin e tij kap vlerën e mbi 3 milionë eurove. Sipas Kusari-Lilës, punimet pritet të përfundojnë brenda 350 ditësh pune.
“Ky është një investim i rëndësishëm për ekonominë e Llapit dhe për bizneset që tashmë kanë shprehur interes të madh për të investuar dhe zgjeruar aktivitetin e tyre në këtë park të ri”, tha Kusari-Lila.
Ajo theksoi se parku do të ndërtohet duke respektuar standardet për mbrojtjen e mjedisit dhe parimet e tranzicionit të gjelbër.
“Ky nuk është vetëm një investim në infrastrukturë. Është investim në një model të ri të zhvillimit ekonomik, ku industria, inovacioni dhe mbrojtja e mjedisit ecin së bashku”, u shpreh ministrja.
Sipas saj, në pesë vitet e ardhshme synohet zhvillimi i 16 parqeve industriale në të gjithë Kosovën, me investime që tejkalojnë 50 milionë euro.
Në këto parqe, sipas Kusari-Lilës, do të integrohen konceptet e ekonomisë qarkore dhe të simbiozës industriale, në mënyrë që bizneset të mund të ndajnë infrastrukturën, energjinë dhe sistemet e trajtimit të mbetjeve, ndërsa mbetjet apo nënproduktet e një biznesi të shërbejnë si lëndë e parë për një tjetër.
Kusari-Lila bëri të ditur gjithashtu se Ministria po avancon bashkëpunimin me Bankën Botërore dhe IFC, me synim sigurimin e ekspertizës ndërkombëtare për planifikimin, zhvillimin dhe menaxhimin e parqeve industriale.
Parku Industrial i Podujevës synohet të jetë pjesë e një rrjeti të ri të parqeve industriale në Kosovë, me fokus në rritjen e investimeve, prodhimit vendor, eksporteve dhe krijimit të vendeve të reja të punës. /Lajmi.net/
Postimi i plotë: