“Nënat lehona nga 500 euro, shtesat për fëmijë 90 euro” Hipokrizia e Kurtit dhe Muratit- premtuan dhe s’e realizuan, tani premtojnë sërish
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka premtuar rritje të shtesave për fëmijë nga 60 deri në 90 euro dhe rritje të mbështetjes për lehonat deri në 500 euro në muaj gjatë mandatit të ardhshëm. Në tryezën e organizuar nga Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Familjes,…
Lajme
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka premtuar rritje të shtesave për fëmijë nga 60 deri në 90 euro dhe rritje të mbështetjes për lehonat deri në 500 euro në muaj gjatë mandatit të ardhshëm.
Në tryezën e organizuar nga Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Familjes, Kurti tha se mbi 400 mijë fëmijë kanë përfituar nga shtesat për fëmijë, ndërsa mbi 80 mijë nëna nga shtesat për lehona.
“Politika për familjen dhe mirëqenien e saj. Kështu mbase do të ishte përshkrimi më i saktë dhe më i shkurtër i qeverisjes sonë në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Familjes, sepse ajo, pra familja, është trajtuar jo si diçka e ndarë dhe jashtë kontekstit zhvillimor, por në tërësinë e politikave sektoriale dhe në kuadër të gjerë të vendimmarrjes. Për të zbërthyer këtë, më lejoni të përmend disa prej punëve, shumë prej të cilave në sektorë të ndryshëm, por që të gjitha në qendër e kanë familjen”.
“Për herë të parë në Kosovës kemi nisur me aplikimin e shtesave nga të cilat kanë përfituar mbi 400.000 fëmijë. Kur nisem me 10 dhe 20 euro – pati tallje e përqeshje për një politikë të këtillë. E sot çdo familje që plotëson kushtet merr shtesa prej 30 deri 45 euro, varësisht nga numri i fëmijëve. Ndërkaq zotimi ynë është që në mandatin tjetër, të cilin e synojmë edhe një herë, shtesat për fëmijë t’i dyfishojmë 60 deri në 90 euro”, tha ai.
“Paralelisht me këtë kemi filluar me shtesat për lehonat, nga të cilat kanë përfituar më shumë se 80 mijë nëna. Njësoj sikurse për fëmijët, edhe këtu i patëm gjetur zero. Nisi me 170 euro muaj, aktualisht janë 325.9 euro, por me synimin që ato të ngritën në 500 euro në muaj”, tha ai.
Por në fakt këtë premtim Kurti e kishte bërë edhe në fushatën e kaluar pra para zgjedhjeve të 28 dhjetorit, por i cili nuk u mbajt.
Kësisoj ai dhe ministri tanimë në detyrë, Hekuran Murati premtonin se lehonat do merrnin nga 500 euro, transmeton lajmi.net.
Por lehonat deri më tani nuk kanë marrë nga 500 euro, siç paralajmërohej me rritjen e pagës bazë.
Gratë lehona nuk i kanë marrë shtesat për muajt që lamë pas në vlerën e pagës minimale prej 425 eurosh, ndonëse një gjë e tillë ishte premtuar në programin qeverisës të Vetëvendosjes. Për muajin shkurt, pagesat janë ekzekutuar në shumën 325 euro.
Premtimi për rritjen e shtesave në nivelin e pagës minimale ishte dhënë nga kryeministri Albin Kurti në Kuvend, para votimit të kabinetit qeveritar në tetor, me zotimin se do të realizohej që në javën e parë të mandatit. Megjithatë, deri më tani, edhe pas miratimit të buxhetit për vitin 2026, Qeveria nuk ka marrë vendim për rritjen e këtyre shtesave.
Nga Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare është bërë e ditur se çdo rritje e shtesave do të rregullohet me vendim të Qeverisë dhe Ministrisë, në kuadër të të cilit do të përcaktohet edhe mënyra e zbatimit. Megjithatë, nuk është dhënë ndonjë afat se kur mund të merret një vendim i tillë.
Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) tregojnë se nga shtatori 2021 deri më 2024 numri i lindjeve është rritur për rreth dy mijë në vit, ndërsa në vitin 2025 ka pasur rënie prej rreth katër mijë lindjesh krahasuar me vitin paraprak, kur u regjistruan mbi 31 mijë lindje.
Kurse ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, në dhjetorin e vitit 2025 pati premtuar që me rritjen e pagës minimale, e cila nga vera e vitit 2026 do të bëhet 500 euro, do të rriten edhe shtesa për nënat lehona.
Murati tha se edhe për nënat lehona shtesat do të bëhen 500 euro.
“Me rritjen e pagës minimale në 500 euro, nga viti i ardhshëm me qeverinë ‘Kurti’ rriten edhe shtesat për nënat lehona në 500 euro/muaj. Pra 6 muaj nga 500 euro, secila nënë lehonë e papunë do të marrë 3.000 euro nga shteti”.
“Shto këtu edhe shtesat mujore të fëmijëve që do të rriten, 12×90 euro, që i bjen 1.080 euro. Pra veç në vitin e parë mbi 4 mijë euro mbështetje për nënat e reja”.
“Ndërsa shtesat për fëmijë vazhdojnë nga 1.080 euro në vit, deri në moshën 16-vjeçare. Në total pra, për secilin fëmijë, shteti jep mbi 20 mijë euro që nga lindja e deri në moshën 16-vjeçare. Kur ka pasur këso qeverie më përpara? Mos lësho pe!”, shkroi Murati.
Ndryshe më 31 tetor 2025, Qeveria në detyrë e Kosovës e ka miratuar të premten rritjen e pagës minimale, e cila do të arrijë në 500 euro deri në korrik të vitit 2026.
Paga minimale, e cila është 350 euro, do të rritet në dy faza, fillimisht në 425 euro në janar (ku parashihej të rriteshin edhe shtesat), ndërsa në korrik do të bëhet 500 euro në muaj për të gjithë punëtorët me orar të plotë.
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, tha në mbledhjen e Qeverisë në detyrë se kjo rritje vjen pas “analizave që kemi bërë sa i përket ndikimit që mund të ketë edhe në sektorin privat, te ndërmarrjet, por edhe te punonjësit”.
Kjo rritje prek rreth 150.000 të punësuar në sektorin privat, sipas Muratit.
“Pas diskutimeve që kemi pasur dhe propozimeve dhe sugjerimeve që kemi marrë nga përfaqësues të sindikatave dhe bizneseve, propozimi ynë është që paga minimale për vitin e ardhshëm të bëhet 500 euro, apo konkretisht 3 euro për orë pune”, shtoi ai./Lajmi.net/