Kurti pret anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar Shqiptar, dakordohen për drejtimin e përbashkët

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur anëtarët e sapozgjedhur të Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH), me të cilët është formalizuar marrëveshja për drejtimin e përbashkët të këtij institucioni. Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, marrëveshja është formalizuar më 28 nëntor, në Ditën e Flamurit Kombëtar, dhe parasheh që Këshilli Kombëtar Shqiptar në mandatin e ardhshëm…

Lajme

29/11/2026 10:42

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur anëtarët e sapozgjedhur të Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH), me të cilët është formalizuar marrëveshja për drejtimin e përbashkët të këtij institucioni.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, marrëveshja është formalizuar më 28 nëntor, në Ditën e Flamurit Kombëtar, dhe parasheh që Këshilli Kombëtar Shqiptar në mandatin e ardhshëm të drejtohet nga Enkel Rexhepi.

Marrëveshja bashkon 24 nga 29 anëtarët e zgjedhur të KKSH-së, ndërsa synon përfshirjen e të gjitha subjekteve politike në drejtimin e këtij institucioni. Në këtë kuadër, është mirëpritur edhe bashkimi i pesë anëtarëve të Lëvizjes së Progresit Demokratik, duke mundësuar përfshirjen e të gjithë 29 anëtarëve.

Gjatë takimit, Kurti dhe anëtarët e rinj kanë theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe bashkëpërgjegjësisë institucionale, duke vlerësuar se në KKSH nuk duhet të ketë ndarje në pozitë dhe opozitë.

Sipas rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të konfirmuara nga Komisioni Republikan i Zgjedhjeve në Serbi, lista PVD–AL, e udhëhequr nga Enkel Rexhepi, ka fituar 4.752 vota dhe 10 mandate. LPD–PDSH, me Shqiprim Musliun, ka marrë 4.267 vota dhe nëntë mandate, APN me Levent Qazimin 2.843 vota dhe pesë mandate, ndërsa PD–LR me Sali Salihin 2.410 vota dhe pesë mandate.

Në takim është diskutuar edhe për rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit politik dhe institucional të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Kurti ka theksuar se bashkëpunimi i dëshmuar në zgjedhjet parlamentare dhe tash në Këshillin Kombëtar Shqiptar duhet të shtrihet edhe në institucionet e tjera përfaqësuese, duke respektuar vullnetin e qytetarëve.

Qeveria e Kosovës ka riafirmuar përkushtimin për mbështetjen e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, si dhe për avancimin e të drejtave të tyre dhe fuqizimin e institucioneve përfaqësuese. /Lajmi.net/