Kurti nga Dublini kërkon shqyrtimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që të shqyrtojë aplikimin e Kosovës për anëtarësim dhe t’i hapë rrugë nisjes së negociatave për integrim në bllokun evropian. Këtë kërkesë Kurti e ka bërë gjatë një adresimi në Institutin për Çështje Ndërkombëtare dhe Evropiane (IIEA), në Dublin të Irlandës, ku ka diskutuar për…
Lajme
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që të shqyrtojë aplikimin e Kosovës për anëtarësim dhe t’i hapë rrugë nisjes së negociatave për integrim në bllokun evropian.
Këtë kërkesë Kurti e ka bërë gjatë një adresimi në Institutin për Çështje Ndërkombëtare dhe Evropiane (IIEA), në Dublin të Irlandës, ku ka diskutuar për rrugëtimin e Kosovës nga shtetësia drejt integrimit evropian, transmeton lajmi.net.
Sipas Zyrës së Kryeministrit, Kurti ka theksuar se Kosova vazhdon të jetë i vetmi shtet në Ballkanin Perëndimor që nuk ka marrë statusin e vendit kandidat, ndonëse aplikimin për anëtarësim e ka dorëzuar më 15 dhjetor 2022.
“Irlanda është presidenca e tetë që nga ajo kohë dhe ne ende mbetemi i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor pa status kandidati. Aplikimi ynë duhet të vlerësohet dhe ne duhet t’i fillojmë negociatat për anëtarësim. Ne kurrë nuk kemi kërkuar trajtim të veçantë, vetëm trajtim të barabartë”, ka deklaruar Kurti.
Gjatë fjalimit, kryeministri ka përmendur reformat që, sipas tij, Kosova ka ndërmarrë në përafrimin e legjislacionit dhe institucioneve me standardet e Bashkimit Evropian. Ai ka veçuar zhvillimet në sektorin e energjisë, administratën publike, punësimin dhe zhvillimin industrial, si dhe avancimin e tranzicionit të gjelbër dhe digjital.
Kurti ka kërkuar që procesi i integrimit të jetë i drejtë dhe i bazuar në meritë, duke theksuar se mosmarrëveshjet dypalëshe nuk duhet të pengojnë përparimin e Kosovës në fusha të tjera.
“Mosmarrëveshjet dypalëshe duhet ta kenë kapitullin e tyre të veçantë në procesin e anëtarësimit, në mënyrë që një çështje të mos e bllokojë përparimin në të gjitha fushat e tjera që përmirësojnë jetën e qytetarëve”, është shprehur ai.
Në adresimin e tij, Kurti ka folur edhe për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Irlandës, duke falënderuar këtë shtet për njohjen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008. Ai ka përmendur gjithashtu lidhjet historike dhe rëndësinë e diasporës në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Duke folur për zhvillimet ekonomike, kryeministri ka deklaruar se ekonomia e Kosovës gjatë dekadës së fundit ka shënuar rritje mesatare vjetore prej mbi katër për qind, pavarësisht sfidave të pandemisë, krizës energjetike dhe inflacionit.
Një pjesë të fjalimit Kurti ia ka kushtuar edhe çështjeve të sigurisë, duke përmendur sulmin në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator 2023, si dhe sulmin ndaj infrastrukturës kritike në Varagë të Zubin Potokut, më 29 nëntor 2024.
Ai ka akuzuar Serbinë për qasje agresive ndaj Kosovës dhe ka kërkuar që përgjegjësit për këto sulme të përballen me drejtësinë.
Kryeministri ka ritheksuar se synimet strategjike të Kosovës mbeten anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe NATO, duke nënvizuar se vendi është i harmonizuar me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, përfshirë sanksionet ndaj Rusisë dhe mbështetjen për Ukrainën.
Në përfundim, Kurti ka shprehur pritjen që Irlanda të vazhdojë ta mbështesë perspektivën evropiane të Kosovës, edhe gjatë presidencës së saj të Këshillit të Bashkimit Evropian dhe pas përfundimit të saj./lajmi.net/