Ministria kërkon masa disiplinore për dy zyrtarë të QPS-së në Pejë, pas vrasjes së Arlinda Zekajt
Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare ka publikuar gjetjet e Raportit të Inspektimit të Jashtëzakonshëm në Qendrën për Punë Sociale në Pejë, lidhur me trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor 2026. Në raport janë evidentuar disa shkelje dhe mangësi në punën e QPS-së, përfshirë mosrespektimin…
Lajme
Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare ka publikuar gjetjet e Raportit të Inspektimit të Jashtëzakonshëm në Qendrën për Punë Sociale në Pejë, lidhur me trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor 2026.
Në raport janë evidentuar disa shkelje dhe mangësi në punën e QPS-së, përfshirë mosrespektimin e afateve gjyqësore, neglizhencën në përmbushjen e detyrave zyrtare dhe mungesën e mbikëqyrjes profesionale, transmeton lajmi.net.
Sipas Ministrisë, një nga shkeljet e konstatuara ka të bëjë me mosdorëzimin me kohë të raportit në Gjykatë. Raporti është dashur të dorëzohej brenda afatit shtatëditor, të përcaktuar me aktvendimin e 24 shtatorit 2026, por është dorëzuar më 5 tetor.
Po ashtu, Inspektorati ka evidentuar mungesën e pajustifikuar të menaxheres së rastit në seancën gjyqësore të 5 tetorit, duke e cilësuar këtë si neglizhencë në përmbushjen e detyrave të punës.
Një tjetër gjetje lidhet me mosrealizimin e monitorimit të rastit, ndonëse QPS-ja kishte përgjegjësi zyrtare për të vepruar edhe pa pasur detyrime të posaçme të përcaktuara nga Gjykata.
Inspektorati ka konstatuar gjithashtu moszbatimin e procedurave standarde për menaxhimin e rasteve, përfshirë mosplotësimin e formularit për kontaktet dhe punën në rast, si dhe mungesën e Planit Individual të Shërbimeve.
Përgjegjësi është evidentuar edhe te udhëheqësi i Shërbimeve Sociale, për shkak të mungesës së mbikëqyrjes profesionale mbi punën dhe përmbushjen e detyrave të menaxheres së rastit.
Kërkohen masa disiplinore ndaj dy zyrtarëve
Për shkeljet e evidentuara, Divizioni i Inspektimit i ka rekomanduar kryetarit të Komunës së Pejës ndërmarrjen e masave disiplinore ndaj menaxheres së rastit, T. G., dhe udhëheqësit të Shërbimeve Sociale, D. K., në përputhje me përgjegjësitë e tyre dhe procedurat ligjore.
Përveç masave disiplinore, Ministria i ka rekomanduar Komunës së Pejës rritjen urgjente të numrit të punonjësve profesionalë të licencuar në QPS, duke vlerësuar se kapacitetet aktuale janë të pamjaftueshme në raport me numrin e rasteve dhe territorin që mbulon ky institucion.
Një rekomandim tjetër i drejtohet kryetarit të Komunës së Pejës për zhvendosjen e Drejtorisë për Mirëqenie Sociale, përkatësisht drejtoreshës A. B., me qëllim të sigurimit të pavarësisë profesionale të QPS-së dhe ndarjes së qartë të përgjegjësive ndërmjet dy institucioneve.
Kërkohet monitorim i vazhdueshëm i fëmijës
Raporti përmban edhe rekomandime të veçanta për Qendrën për Punë Sociale në Pejë, lidhur me kujdesin ndaj fëmijës që mbeti pa përkujdesje prindërore pas ngjarjes tragjike.
Menaxherit të rastit dhe kujdestarit ligjor u kërkohet të sigurojnë mbikëqyrje të vazhdueshme dhe vizita të rregullta në strehimore, për të vlerësuar gjendjen shëndetësore, psikosociale dhe përshtatjen e fëmijës.
Po ashtu, QPS-ja duhet të koordinojë shërbimet me institucionet përkatëse, në bazë të nevojave të fëmijës dhe planit individual të shërbimeve.
Ministria kërkon gjithashtu përdorimin e të gjithë formularëve standardë për menaxhimin e rasteve, si dhe vlerësimin e nevojave për trajnimin dhe ritrajnimin e punonjësve socialë, me theks të veçantë në mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje.
Në fund, Ministria i ka kërkuar Komunës së Pejës që rekomandimet të trajtohen pa vonesë dhe ta njoftojë zyrtarisht për veprimet e ndërmarra.
Ministria ka bërë të ditur se do të monitorojë zbatimin e këtyre rekomandimeve nga ana e Komunës së Pejës./lajmi.net/