Kurti në WSF: S’ka kërcënim më të madh në rajon se agresioni serbo-rus
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se për Ballkanin Perëndimor, e veçanërisht për Republikën e Kosovës, integrimi i plotë euroatlantik në NATO dhe Bashkimin Evropian, mbetet qëllimi përfundimtar i sigurisë. Këto komente, Kurti i bëri në fjalimin e tij mbi temën ndërlidhjes mes Gjeopolitikës dhe Integrimit Evropian, me vëmendje të veçantë te Ballkani Perëndimor, në kuadër të…
Lajme
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se për Ballkanin Perëndimor, e veçanërisht për Republikën e Kosovës, integrimi i plotë euroatlantik në NATO dhe Bashkimin Evropian, mbetet qëllimi përfundimtar i sigurisë.
Këto komente, Kurti i bëri në fjalimin e tij mbi temën ndërlidhjes mes Gjeopolitikës dhe Integrimit Evropian, me vëmendje të veçantë te Ballkani Perëndimor, në kuadër të sesioneve të Forumit të Varshavës për Siguri (WSF).
Kreu i ekzekutivit tha se sot, siguria rajonale në Evropë është siguri kolektive për Evropën sepse “ajo që ndodh në Ukrainë apo Poloni, në vendet e Partneritetit Lindor dhe në rajonin tonë të Ballkanit Perëndimor, prek jo vetëm kontinentin, por gjithë botën”.
“Për ne në Ballkanin Perëndimor, e veçanërisht për Republikën e Kosovës, integrimi i plotë euroatlantik në NATO dhe Bashkimin Evropian, mbetet qëllimi përfundimtar i sigurisë. Kjo, krahas aftësive të mjaftueshme mbrojtëse dhe marrëveshjeve dypalëshe të sigurisë me aleatët tanë më të afërt, formon një ombrellë solide sigurie. Ashtu si Rusia, NATO dhe BE kanë një histori zgjerimi. Por ndryshe nga Rusia, zgjerimi i tyre ka ecur në një mënyrë paqësore dhe demokratike”, u shpreh Kurti.
Ai foli për rëndësinë e zgjerimit të BE-së dhe NATO-s, integrimin e Kosovës dhe rritjen e bashkëpunimit, si kundërpërgjigje ndaj influencës ruse.
Sipas tij, “në rajonin tonë nuk ekziston asnjë kërcënim më i madh se agresioni serb dhe rreziku që ndikimi rus të punojë së bashku me atë agresion”.