Kurti në Paris: Kosova e harmonizuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, siguria e kufijve prioritet

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Paris, ku është pritur nga Presidenti i Republikës së Francës, Emmanuel Macron, në Pallati Elize. Presidenti Macron e uroi kryeministrin Kurti për rizgjedhjen dhe mandatin e ri në krye të Qeverisë së Kosovës, ndërsa Kurti shprehu falënderimin për kontributin e vazhdueshëm të…

Lajme

27/03/2026 18:38

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Paris, ku është pritur nga Presidenti i Republikës së Francës, Emmanuel Macron, në Pallati Elize.

Presidenti Macron e uroi kryeministrin Kurti për rizgjedhjen dhe mandatin e ri në krye të Qeverisë së Kosovës, ndërsa Kurti shprehu falënderimin për kontributin e vazhdueshëm të Francës ndaj Kosovës.

Në takim morën pjesë edhe Ministri Francez i Deleguar për Evropën, Benjamin Haddad, ambasadori i Kosovës në Francë, Mehdi Halimi, si dhe Konsulli i Përgjithshëm në Strasburg, Lulzim Hiseni.

Gjatë takimit u theksua roli i vazhdueshëm pozitiv i NATO në Kosovë, përkatësisht i misionit KFOR, si dhe i misioneve të Bashkimi Evropian.

Kryeministri Kurti theksoi përkushtimin e Kosovës ndaj integrimeve evropiane dhe harmonizimin me politikat e BE-së.

“Kosova mbetet e harmonizuar plotësisht me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së”, theksoi Kurti, duke shtuar se vendi ka shënuar progres në shumicën e fushave, siç konstatohet edhe në raportin e fundit të BE-së.

Ai kërkoi mbështetjen e Francës për integrimin evropian të Kosovës dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

Në takim u diskutua edhe për çështjet e sigurisë, përfshirë kufijtë e Kosovës, ngritjen e kapaciteteve mbrojtëse, raportet me Serbinë në kuadër të dialogut në Bruksel dhe bashkëpunimin me aleatët veri-atlantikë.

“Siguria e Kosovës është para së gjithash siguri e kufijve të saj”, u shpreh Kurti.

Po ashtu, palët biseduan për bashkëpunimin ekonomik dhe investimet në edukim, si dhe për organizimin e forumeve të reja të bizneseve Kosovë–Francë.

Në këtë kontekst, u përmendën edhe Lojërat Mesdhetare 2030, për të cilat u kërkua mbështetja dhe angazhimi i Francës në përgatitjet për organizimin e tyre.