Kurti në New York: Kosova e ka përballuar krizën pa rritur taksa e pa borxh publik

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka prezantuar përvojën e qeverisë së tij në menaxhimin e krizës globale të kostos së jetesës, në një diskutim të organizuar nga Instituti Zolberg mbi Migrimin dhe Mobilitetin në Universitetin The New School në SHBA. Në fjalën e tij me temën “Mbështetja ndaj qytetarëve në një krizë ekonomike…

Lajme

28/09/2025 20:17

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka prezantuar përvojën e qeverisë së tij në menaxhimin e krizës globale të kostos së jetesës, në një diskutim të organizuar nga Instituti Zolberg mbi Migrimin dhe Mobilitetin në Universitetin The New School në SHBA.

Në fjalën e tij me temën “Mbështetja ndaj qytetarëve në një krizë ekonomike globale: Çfarë mund të mësojë bota nga Kosova”, Kurti tha se Kosova ka arritur rezultate të rëndësishme pa e ngarkuar qytetarin me taksa shtesë.

“Është nder i madh, jo vetëm për mua, por edhe për vendin tim, të flas rreth asaj se çka bota mund të mësojë nga Kosova,” u shpreh Kurti, duke kujtuar se Kosova është shteti më i ri në Evropë, i dalë nga “një dekadë shtypjeje brutale dhe aparteidi, e cila kulmoi në gjenocidin e fundit të shekullit të njëzetë”.

Kurti theksoi se përvoja e Kosovës mund të shërbejë si model për dy arsye kryesore: “Së pari, mënyra se si qeveria jonë i ka ardhur në ndihmë popullit në këto kohë sfiduese mund t’u japë politikëbërësve të vendeve të tjera një mori idesh se si ta kanalizojnë ndihmën drejt atyre që kanë më shumë nevojë. Së dyti, ne ia kemi dalë ta bëjmë këtë pa rritur normat e taksave ose borxhin publik”.

Ai paraqiti tri shtylla kryesore të politikave qeveritare: kontrollin e inflacionit, lehtësimin e drejtpërdrejtë për familjet dhe mbrojtjen e fuqisë blerëse.

“Ne dyfishuam mbështetjen për fermerët, subvencionuam çmimin e energjisë dhe krijuam skema për prodhuesit e vegjël,” tha Kurti, duke shtuar se qeveria kufizoi fitimet e kompanive të karburanteve me një marzh prej 0.15 euro për litër për të parandaluar rritje abuzive të çmimeve.

Në fjalimin e tij, Kurti foli edhe për masat sociale.

“Universitetet publike i bëmë falas për të gjithë studentët e nivelit Bachelor dhe Master, dyfishuam buxhetin për ilaçet e pacientëve me kancer e diabet dhe rritëm pagën minimale pas më shumë se një dekade”.

Ai përmendi edhe reformën në sektorin publik që “zvogëloi hendekun mes pagës më të lartë dhe më të ulët nga raporti 20:1 në 4:1” dhe skemën universale të shtesave për fëmijë, që tash arrin në 1.5% të PBB-së.

Kryeministri theksoi se këto politika u zbatuan duke ruajtur stabilitetin fiskal.

“Ne i kemi realizuar të gjitha këto masa duke mbajtur deficitin buxhetor më të ulët se para pandemisë dhe pa rritur asnjë normë tatimore,” tha ai, duke nënvizuar se borxhi publik i Kosovës “është më i ulëti në Evropë, vetëm 17% e BPV-së”.

Kurti përmendi edhe luftën kundër korrupsionit si faktor kyç të rritjes ekonomike.

“Që kur morëm detyrën në vitin 2021, Kosova është përmirësuar me 31 vende në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International,” tha ai, duke theksuar se kjo ka rritur besimin e investitorëve të huaj dhe ka dyfishuar investimet direkte.

Duke përmbyllur, Kurti paralajmëroi vazhdim të politikave sociale.

“Lufta kundër pabarazisë është ende në fillim. Ajo që Qeveria jonë ka arritur gjatë katër viteve të fundit është vetëm fillimi, jo fundi i kësaj historie. Ne planifikojmë të zgjerojmë edhe më shumë mbështetjen për qytetarët tanë në mandatin e ardhshëm”.