Kurti në Austri: Bashkëpunimi ekonomik një domosdoshmëri strategjike
Në Forumin Ekonomik të Vjenës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka marrë pjesë në panelin me temën “Bashkëpunimi ekonomik është më i rëndësishëm se kurrë”. Kryeministri Kurti ka folur për temën e bashkëpunimit ekonomik, e cila sipas tij është një temë që ka rëndësi për vendin dhe rajonin tonë. Ai ka thënë se bashkëpunimi ekonomik…
Lajme
Në Forumin Ekonomik të Vjenës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka marrë pjesë në panelin me temën “Bashkëpunimi ekonomik është më i rëndësishëm se kurrë”.
Kryeministri Kurti ka folur për temën e bashkëpunimit ekonomik, e cila sipas tij është një temë që ka rëndësi për vendin dhe rajonin tonë. Ai ka thënë se bashkëpunimi ekonomik nuk është vetëm një zgjedhje politike, por, siç tha ai është një domosdoshmëri strategjike.
“Si një vend i ri, me një përkushtim të palëkundur ndaj demokracisë dhe rritjes, ne besojmë se partneritetet janë thelbësore për arritjen e prosperitetit dhe paqes, jo vetëm brenda kufijve tanë, por në të gjithë rajonin tonë… Për ne, bashkëpunimi ekonomik nuk është vetëm një zgjedhje politike, është një domosdoshmëri strategjike. Progresi ynë i suksesshëm varet nga aftësia jonë për të krijuar një mjedis që nxit tregtinë ndërkufitare, tërheq investime dhe ndërton ura me vendet fqinje”, theksoi Kurti.
Kurti ka theksuar po ashtu se Kosova si shumë vende të tjera ka ndjerë ndikimet e pasigurive ekonomike globale dhe ndërprerjet e furnizimit dhe ndryshimit veçanërisht në vitet e fundit.
Prandaj Kurti tha se Kosova ka nevojë për bashkëpunim ekonomik. Sipas tij, Kosova nuk është një vend i madh, por siç tha ai “është një shembull i mrekullueshëm që progresi demokratik dhe rritja ekonomike shkojnë paralelisht dhe ato në fakt imponojnë njëri-tjetrin”.
“Vendi im si shumë vende të tjera ka ndjerë ndikimet e pasigurive ekonomike globale dhe ndërprerjet e furnizimit dhe ndryshimit veçanërisht në vitet e fundit. Ne kemi nevojë për bashkëpunim ekonomik, jo vetëm sepse na jep elasticitet ndaj goditjeve…, por sepse duam të heqim barrierat dhe të krijojmë mundësi të reja për qytetarët tanë. Pra, kur njerëzit mendojnë në aspektin e bashkëpunimit ekonomik, ata duhet të mendojnë për mundësitë dhe jo për sfidat dhe rreziqet… Vitet e fundit kemi treguar se demokracia dhe ekonomia shkojnë paralelisht. Sot ne kemi disa fuqi dhe superfuqi në botë që duan të tregojnë se zhvillimi nuk ka nevojë për demokraci. Vendi ynë nuk është një vend i madh, por është një shembull i mrekullueshëm që progresi demokratik dhe rritja ekonomike shkojnë paralelisht dhe ato në fakt imponojnë njëri-tjetrin”, ka thënë Kurti.
Ai duke folur për lirinë e lëvizjes theksoi se pa lirinë e lëvizjes ‘ne nuk do të mund të fitojmë lëvizshmërinë e studentëve dhe profesionistëve punëtorë, që është kyçe si për tërheqjen e investimeve të huaja direkte, ashtu edhe për rritjen e ekonomisë sonë’.
Kurti theksoi se ngjashëm, fqinji ynë verior, Serbia duhet të lejojë që të huajt, destinacioni i të cilëve është Kosova, të mund të shkojnë edhe më pas në Serbi. Ai tha se fatkeqësisht, kushdo që vjen nga Austria së pari në Kosovë, nuk mund të vazhdojë në Serbi pa shkuar më parë në Maqedoninë e Veriut.
“Fatkeqësisht, kushdo që vjen nga Austria së pari në Kosovë, nuk mund të vazhdojë në Serbi pa shkuar më parë në Maqedoninë e Veriut. Sepse në këndvështrimin e Beogradit zyrtar, ardhja në Kosovë së pari do të thotë hyrje ilegale në territorin e Serbisë. Për marrëdhënie të mira fqinjësore për bashkëpunim ekonomik, kjo duhet të ndryshojë. Po kështu në Berlin kam thënë se 25 vjet më parë, pas ndërhyrjes së NATO-s, e cila shpëtoi popullin tonë, hapësira ajrore e Serbisë mbeti e mbyllur për fluturime komerciale për dhe nga Kosova. Kjo nuk është e mirë as për marrëdhëniet fqinjësore, as për bashkëpunimin ekonomik, as për përshtatjen klimatike”, theksoi Kurti.
Ky forum ofron një platformë për liderë politikë, ekspertë dhe përfaqësues të sektorit privat për të diskutuar sfidat dhe mundësitë në fushën e ekonomisë.
Në Vjenë të Austrisë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti takoi ministrin federal të Punës dhe Ekonomisë së Austrisë, Martin Kocher.