Kurti në “Anibar”: Veprat e puna e izolimit shkëlqejnë kur ua largojmë barrierat

Në të gjitha format e ndryshme animacioni përfaqëson idenë e “dhënies së frymës”, “dhënies së guximit”, “gjallërisë dhe jetës”, vlera të cilat festivali tradicional tashmë "Anibar", i përfaqëson me animacionin si medium artistik, por edhe si format i kontributit shoqëror, ka thënë kryeministri Albin Kurti, në përmbyllje të edicionit të 12-të të festivalit ndërkombëtar të animacionit "Anibar", në Pejë.

Lajme

31/07/2021 07:59

“Anibar” si shumë nga organizimet kulturore e artistike në Kosovë, sipas kryeministrit, është vlerë e gjallërisë dhe jetës shoqërore në vendin tonë dhe se një forcë kulturore që e ngjall një qytet dhe një shtet të tërë, ka thënë ai.

Kurti në fjalën e tij ka përgëzuar organizatorët e “Anibarit” për sukseset e deritashme, duke shtuar se “askush tashmë nuk ka dyshim se vitet e ardhshme janë po ashtu vite të suksesit tuaj, të suksesit të “Anibarit”, të suksesit të të gjithëve”.

“Bukuria, imagjinata, kreativiteti e arritshmëritë e “Anibarit” nuk do të ishin aq mbresëlënëse sikur të mbetnin të izoluara në vakumin e artistëve e krijuesve. Veprat e puna e izolimit shkëlqejnë me potencialin e tyre të plotë kur ua largojmë barrierat, kur i hapim dyert e kufijtë e i ndajmë me botën e i bashkojmë të tjerët me ne, siç jemi ne bashkë me të tjerët edhe atëherë kur mbajmë distancë fizike”, ka thënë ndër tjera kryeministri Kurti./Lajmi.net/