Kurti kundër Kushtetueses e ndërkombëtarëve, do ndërhyrje të qytetarëve
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti ka kundërshtuar çdo tendencë të ndërhyrjes nga ndërkombëtaret për zgjidhjen e krizës institucionale në Kosovë.
Lajme
Në mbledhjen e 17-të të Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, Kurti theksoi se nëse duhet të ketë ndërhyrje jashtë institucioneve, ajo duhet të bëhet nga qytetarët.
“Thaçit i intereson që kjo ndërhyrje të jetë prej ndërkombëtareve, prej ambasadorëve, prej të huajve për kompromis. Ai nuk po thotë se nuk i ka numrat, por po kërkon qeveri gjithëpërfshirëse. Neve na intereson që ndërhyrjen jashtëparlamentare ta bëjnë qytetarët”.
Kurti tha po ashtu se shumica parlamentare vazhdon të jetë e vendosur në kundërshtimin e çfarëdo bashkëpunimi me drejtuesit e qeverisë aktuale.
Ai tha se edhe kryeministri në detyrë, Hashim Thaçi, duket i vendosur për të mos e lëshuar qeverisjen.
Derisa e ka kritikuar Thaçin, Kurti ka theksuar se ai ka keqpërdorë çdo institucion shtetëror.
Lideri i Vetëvendosjes ka deklaruar më tutje se si pjesë e koalicionit pas zgjedhor, me propozimet e tyre janë duke u munduar ta bindin koalicionin LAN që ta konstituojë Kuvendin dhe institucionet, pa marrë parasysh reagimin e PDK-së apo të Gjykatës Kushtetues.
“Tash për tash krerët e shumicës parlamentare nuk besojnë se duhet bërë një zgjidhje siç propozojmë ne. Nëse ata vazhdojnë të hezitojnë, ka gjasë që të fitojë mbështetje interesi i Thaçit, pra që situata të zgjidhet me ndërhyrje prej ndërkombëtarëve”, tha Kurti.