Kurti kundër Kurtit: Dikur krenohej se s’bie në presionin e ndërkombëtarëve, mbrëmë “u dorëzua” për pak minuta
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti njihet se ka qenë shumë shpesh herë kritikues ndaj politikanëve në Kosovë për “dëgjueshmërinë” e tyre ndaj Bashkësisë Ndërkombëtare. Këtë diskurs, Kurti e adoptonte sa ishte në opozitë, por edhe në ditët e para kur shijoi “mjaltin” e të qenit kryeministër – pasi deklarohej se mbi të nuk mund të…

Lajme
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti njihet se ka qenë shumë shpesh herë kritikues ndaj politikanëve në Kosovë për “dëgjueshmërinë” e tyre ndaj Bashkësisë Ndërkombëtare.
Këtë diskurs, Kurti e adoptonte sa ishte në opozitë, por edhe në ditët e para kur shijoi “mjaltin” e të qenit kryeministër – pasi deklarohej se mbi të nuk mund të ushtrohet presion.
Në vitin 2020, ai mburrej se nuk mund t’i bëhet presion dhe tregonte kurreshtjen e tij për të ditur se si duket presioni ndërkombëtar.
“Nuk ka trysni mbi mua. Nuk ka presion mbi mua. Ata që kanë përjetuar trysni duhet ta tregojnë se si duket ajo trysni, por edhe më tutje jam kurreshtar të kuptojë se si duket ajo trysni. Po ka mundësi që kur nuk je i korruptuar e nuk mund të të shantazhojnë, nuk e përjeton as trysninë”, thoshte Kurti në vitin 2020.
Por mbrëmë ndodhi diçka krejtësisht ndryshe. Kurti i opozitës dhe i ditëve të para si kryeministër, mbrëmë duket se e kuptoi se si duket presioni ndërkombëtar, për të cilin kishte kurreshtje.
Kurreshtja u shua, ai e kuptoi se si duket presioni ndërkombëtar, pasi për pak minuta pranoi kërkesën e qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të shtyrë vendimin për aplikimin e masave të reciprocitetit për targat e automjeteve dhe për dokumentet e udhëtimit për qytetarët serbë.
Në vijë me deklarimet e tij, që krenohej se nuk bie në presionin e ndërkombëtarëve dhe aludonte se vetëm të korruptuarit siç flet me gjuhën e tij mund të “shantazhohen”, bën të shtrohet një pyetje: A u korruptua kryeministri Kurti?
Menjëherë pas takimit me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Hovenier mbrëmë në orët e vona pak para mesnatës, qeveria e Kosovës vendosi që të dëgjojë kërkesën e qeverisë së SHBA-ve.
Si lider apo si i korruptuar? Kjo pyetje mund të shtrohet nga të gjithë, por përgjigja mbetet tek ai që i pari ka shtruat hipotezën se vetëm të korruptuarit mund të vihen nën presion.
Në reagimin e qeverisë pas marrjes së vendimit për shtyrje të aplikimit të masave të reciprocitetit, thuhej se kjo do të bëhet vetëm nëse hiqen të gjitha barrikadat – sa për “golin e nderit”.
Madje, duke i vënë komunikatës titullin se dënohet bllokimi i rrugëve, qeveria tentoi të zbusë pak “dëgjueshmërinë” e Kurtit, e cila ishte e arsyeshme për gati gjithë opinionin publik.
“Kryeministri Kurti së bashku me Presidenten Osmani dhe zëvendës kryeministrat Bislimi e Gërvalla kanë zhvilluar kontakte e takime me faktorët ndërkombëtarë amerikanë dhe evropianë. Me këtë rast, Qeveria e Kosovës jep zotimin që të shtyhet zbatimi i dy vendimeve të datës 29 qershor 2022, deri me datën 1 shtator 2022, nga momenti në ditën e hënë, 1 gusht 2022, kur do të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës.”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e publikuar në Facebook.
Se a është korruptuar Kurti, apo ka vepruar si një lider që i kushton rëndësi kërkesave dhe propozimeve të vendeve aleate – përgjigja mund të gjindet vetëm tek personi që ka shtruar hipotezën se: “Vetëm të korruptuarit mund të bien në presion”./Lajmi.net/