Kurti kujton Mon Balajn e Arben Xheladinin: Janë pjesë e themelit politik mbi të cilin qëndrojmë sot

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar Demonstratën e 10 shkurtit të 2007-tës. Ai ka thënë se 19 vite më parë, në Prishtinë, mijëra qytetarë janë bashkuar për të kërkuar vetëvendosje. liri me të drejta, pavarësi me sovranitet dhe një shtet demokratik. Kurti ka thënë se kjo ishte vazhdimësi e protestave të brezave…

Lajme

10/02/2026 16:52

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar Demonstratën e 10 shkurtit të 2007-tës.

Ai ka thënë se 19 vite më parë, në Prishtinë, mijëra qytetarë janë bashkuar për të kërkuar vetëvendosje. liri me të drejta, pavarësi me sovranitet dhe një shtet demokratik.

Kurti ka thënë se kjo ishte vazhdimësi e protestave të brezave të tërë që nuk u pajtuan kurrë me padrejtësinë.

“Atë ditë, ne kundërshtuam paqësisht një projekt që cenonte demokracinë, barazinë dhe integritetin e shtetit të Kosovës. Dhe pikërisht atë ditë, dhuna u përgjigj ndaj kërkesës sonë politike. Vetëm 8 sekonda pasi hedhi sasi të mëdha të gazit lotsjellës, policia ndërkombëtare e UNMIK-ut shkrepi plumba të gomës që morën jetën e Mon Balajt dhe Arben Xheladinit, të cilët ranë dëshmorë të rrugës së vetëvendosjes, në marshin drejt Sheshit Skënderbe i cili u bllokua në rrugën “Nëna Terezë”. Sot e kësaj dite ne shohim që kritika e protestës së 10 shkurtit 2007, fjalët e asaj proteste vazhdojnë të jenë sfida institucionale të shtetit tonë. Padrejtësitë e kundërshtuara asokohe vazhdojnë të shkaktojnë pengesa në shtetndërtimin dhe zhvillimin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Kurti.

Ai ka kujtuar Mon Balajn dhe Arben Xheladinin, të cilët ka thënë se janë pjesë e themelit politik mbi të cilin qëndrojmë sot.

“Asnjë imunitet nuk mund ta fshijë përgjegjësinë, dhe asnjë dhunë nuk mund ta ndalë drejtësinë. Sot, si atëherë, ne qëndrojmë të vendosur: për vetëvendosje, për demokraci, për republikë. Për vullnetin e shumicës, për të drejtat qytetare dhe të pakicave. Kjo është rruga jonë. Kjo është rruga e Kosovës. Lavdi Mon Balajt dhe Arben Xheladinit! Lavdi dëshmorëve të lirisë dhe të demokracisë!”, ka shtuar Kurti. /Lajmi.net/

Postimi i plotë: