Kurti komenton raportin e Bankës Botërore: Nuk ka vend për brengosje

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka komentuar raportin e fundit të Bankës Botërore për ngadalësim të rritjes ekonomike në Ballkanin Perëndimor. Sipas këtij raporti, parashihet rënie e rritjes ekonomike nga 3.6 për qind në vitin 2024, në 3 për qind në vitin këtë vit për shtetet e Ballkanit Perëndimor. Por, rënien më të madhe është…

Lajme

08/10/2025 13:02

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka komentuar raportin e fundit të Bankës Botërore për ngadalësim të rritjes ekonomike në Ballkanin Perëndimor.

Sipas këtij raporti, parashihet rënie e rritjes ekonomike nga 3.6 për qind në vitin 2024, në 3 për qind në vitin këtë vit për shtetet e Ballkanit Perëndimor. Por, rënien më të madhe është parashikuar ta ketë Kosovë.

Kurti gjatë vizitës në Termocentralin “Kosova B”, ka komentuar këtë raport, ku tha se “Kosova në çerekun e dytë të këtij viti ka pasur rritje ekonomike prej 4.58 për qind të Bruto Produktit Vendor (BPV)”.

“Ne po bëjmë gjithçka që dimë dhe mundemi që t’i ndihmojmë edhe sektorit privat, përveçse edhe ndërmarrjeve publike që t’i ndihmojmë edhe qytetarëve me mbështetje financiare në mënyrë që të rritet kërkesa agregate, po mbështesim eksportin e Kosovës dhe gjithashtu siç e shihni këtu edhe gjenerimin e energjisë elektrike me ç’rast investimi është në rritje të kapacitetit por gjithashtu edhe në siguri e qëndrueshmëri. Lajmi i mirë është që Kosova në çerekun e dytë sivjet ka pasur rritje ekonomike prej 4.58 për qind të Bruto Produktit Vendor dhe mos harroni që shpesh herë për aq shumë indekse edhe të demokracisë edhe të ekonomisë, Kosova është në krye të Ballkanit Perëndimor. Dhe unë besoj që kjo do të vazhdojë edhe më tej”, deklaroi Kurti.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se “shifrat tregojnë se nuk ka vend për brengosje”, teksa shtoi se në katër vitet e fundit mesatarja e rritjes ekonomike ka qenë 6 për qind.

“Në katër vitet e fundit, mesatarja e rritjes ekonomike ka qenë 6 për qind, pa rënë asnjëherë nën 4 për qind. Në çerekun e dytë sivjet është 4.58 për qind. Do të thotë edhe më tutje nuk biem nën 4 për qind, ta shohim tash si do të jetë raporti për çerekun e tretë sivjet. Por deri tash është mirë. Raportet ndërkombëtare neve na përgatisin edhe më shumë por natyrisht që tash për tash shifrat tregojnë se nuk ka vend për brengosje”, shtoi kryeministri në detyrë.

Sipas Bankës Botërore, vonesat në formimin e një qeverie të re mund të ndikojnë negativisht në investime dhe të ngadalësojnë progresin në reformat strukturore./kp