Kurti: Fituam 7 komuna gjithsej, ndonëse u ballafaquam me të përbashkëtën e të gjitha partive tjera – Ky është sukses për VV-në dhe qytetarët

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti është deklaruar shkurtimisht para mediave pas përfundimit të pothuajse të gjitha rezultateve në balotazhin e sotëm që është zhvilluar në 18 komuna të Kosovës. Ai ka falënderuar të gjithë qytetarët që kanë votuar sot, ndërsa ka thënë se sot është hera e katërt që VV merr pjesë në…

Lajme

09/11/2025 21:18

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti është deklaruar shkurtimisht para mediave pas përfundimit të pothuajse të gjitha rezultateve në balotazhin e sotëm që është zhvilluar në 18 komuna të Kosovës.

Ai ka falënderuar të gjithë qytetarët që kanë votuar sot, ndërsa ka thënë se sot është hera e katërt që VV merr pjesë në zgjedhje lokal.

“Herën e parë në vitin 2013 kemi fituar një komunë, herën e dytë në vitin 2017 kemi fituar 3 komuna, në 2021 kemi fituar 4 komuna, dhe në bazë të të dhënave që i kemi marrë nga komisionerët tanë kësaj radhe kemi fituar në 7 komuna”, ka thënë Kurti.

Ai këtë rezultat të arritur e ka parë si sukses të VV-së, ndonëse siç ka thënë Kurti ka synuar më shumë se kaq. Ai ka përgëzuar katër kryetarët që kanë qeverisur në katër vitet e fundit, në Podujevë, Shtime, Kamenicë e Gjilan, komuna të cilat i kanë fituar përsëri ndërsa i kanë shtuar edhe Mitrovicën, Fushë Kosovën dhe Obiliqin.

“I falënderoj kandidatët tanë, ekipet e tyre, shtabet zgjedhore të cilët kanë pas një betejë të jashtëzakonshme meqenëse në të gjitha këto raste, të gjithë të tjerët janë bashkuar kundër VV-së. Pra, VV është ballafaquar me të përbashkëtën e tyre e cila është një situatë e paprecedentë në historinë politike elektorale të Kosovës. Andaj, ky është një sukses i VV-së dhe i qytetarëve, ne po i presim rezultatet ende nga komunat e tjera, me siguri do t’iu drejtohemi sërish kur t’i marrim ato, por tani më duhet të shkoj me nxitim në tubimin festiv së pari në Fushë Kosovë pastaj në Kastriot e mandej natyrisht në Mitrovicë”, ka thënë Kurti. /Lajmi.net/