Kurti dhe Osmani në takime të ndara me personalitete të ndryshme, por me kërkesë të njëjtë-Arrestimin dhe ekstradimin e Radojiçiq

Dy të parët e shtetit, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, po qëndrojnë për vizita zyrtare në Bruksel. Nga aty, në takime të ndara, ata u pritën nga lidershipi i ri i BE-së, ku temë kryesore ishte sulmi terrorist i 29 nëntorit në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin-Potok dhe kërkesa e tyre për arrestimin…

Lajme

04/12/2024 21:32

Dy të parët e shtetit, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, po qëndrojnë për vizita zyrtare në Bruksel.

Nga aty, në takime të ndara, ata u pritën nga lidershipi i ri i BE-së, ku temë kryesore ishte sulmi terrorist i 29 nëntorit në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin-Potok dhe kërkesa e tyre për arrestimin dhe ekstradimin e kryekriminelit serb në veri të vendit, Milan Radoiçiq tek drejtësia vendore.

Në takimin e saj me presidentin e ri të Këshillit Evropian, Antonio Costa, presidentja Vjosa Osmani, tha se sulmi i fundit terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit kishte për qëllim që të linte një pjesë të madhe të qytetarëve të Kosovës pa ujë, pa energji elektrike, pa ngrohje dhe me pengesa në sistemin e telekomunikimit.

Për këtë, në njoftim thuhet se ajo ofroi dëshmitë për lidhjen e Serbisë me këtë sulm, si dhe me sulmin e shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë, shkruan lajmi.net.

Ajo shtoi se krye terroristi që kishte zbatuar urdhrat e Beogradit zyrtar për sulme ndaj Kosovës dhe pavarësisht kësaj Milan Radoiçiq vazhdon të jetë i lirë dhe kjo dëshmon mungesën e gatishmërisë së Serbisë për përgjegjësi dhe llogaridhënie për aktet e agresionit ndaj Kosovës.

Përveç tjerash, Osmani tha se Kosova është e gatshme të bashkëpunojë më partnerët ndërkombëtar për hetimin e aktit terrorist kundër infrastrukturës vitale në Kosovë, teksa i falënderoi BE-në e ShBA-të për solidaritetin e treguar.

Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti në ndërtesën e Ambasadës së Kosovës në Belgjikë, u takua me Ndihmës Sekretarin për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike të Departamentit amerikan të Shtetit, James O’Brien.

Nga Zyra e Kryeministrit u tha se theksi i diskutimit ishte sulmi i 29 nëntorit në kanalin e Ibër-Lepencit.

“Temë e diskutimit ishin marrëdhëniet dypalëshe dhe zhvillimet aktuale me interes të përbashkët, me theks te sulmi terrorist i 29 nëntorit ndaj infrastrukturës kritike të Republikës së Kosovës. Kryeministri ndau me z.O’Brien detajet e sulmit të fundit terrorist mbi infrastrukturën kritike, përkatësisht në kanalin e Ibër-Lepencit si dhe reagimin e institucioneve shtetërore për sanimin e dëmit dhe sigurimin e furnizimit me shërbime esenciale. Sulmi i 29 nëntorit, ishte sulm mbi popullsinë civile meqë përmes tij u rrezikua që më shumë se gjysma e popullatës së vendit të mbeten pa energji elektrike dhe pa ujë, u shpreh kryeministri”, thuhet në njoftim.

Në takimin me O’Brien, Kurti gjithashtu përmendi edhe arrestimin dhe ekstradimin e Milan Radoiçiqit, për të cilin tha se Prokuroria ka një aktakuzë dhe se derisa ai vazhdon të mbetet i lirë, vazhdon të paraqesë rrezik për sigurinë e vendit.

“Gjatë këtij takimi, kryeministri theksoi rëndësinë e arrestimit dhe ekstradimit të kryekriminelit dhe kryeterroristit Millan Radoiçiq, për të cilin Prokuroria tashmë ka një aktakuzë prej 160 faqesh për të dhe grupin e tij, dhe i cili vazhdon të paraqesë rrezik për sigurinë e vendit dhe të rajonit për sa kohë që endet i lirë në Serbi dhe ka mbështetjen e Presidentit Aleksandar Vuçiq dhe aparatit shtetëror atje”, thuhet në njoftim.

Autoritetet  e Kosovës e fajësojnë Serbinë për sulmin në Zubin Potok dhe për atë në Banjskë të Zveçanit, por që Serbia ka mohuar përfshirjen në të dy rastet dhe sulmin e 29 nëntorit të këtij viti e ka dënuar, duke shtuar se do të kryejë hetime.

Kurti të ngjashme diskutimet i pati edhe mbrëmë kur si fillim takoi Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evrpian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas.

Kallas e cila së voni mori postin e ri në BE dëgjoi nga Kurti në lidhje me situatën e krijuar në veri pas sulmit të së premtes në kanalin e Ibër Lepencit.

Po ashtu kryeministri e falënderoi atë për mikpritjen dhe bashkëpunimin në kuadër të Kosovës dhe BE-së.

Ngjashëm diskutoi i pari i Qeverisë së Kosovës edhe me presidentin e ri të Këshillit Evropian, Antonio Costa.

Çështja e sigurisë në veri dhe rreziku që Serbia ia paraqet Kosovës thuajse çdo ditë u diskutuan në këtë takim./Lajmi.net/